Lajme Shqip Wednesday, 08 June 2011 09:07

Tiranë – Duke marrë shkas nga diskutimet publike të kohëve të fundit dhe mbi të gjitha nga problematikat që po has sistemi bankar lidhur me ekzekutimin e kolateralit, Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), përmes një njoftimi për shtyp, ka bërë me dije qëndrimin e saj rreth kësaj çështje, duke apeluar për më shumë përgjegjshmëri mes bankave dhe klientëve.

Sipas AAB, së fundmi bankat kanë hasur shumë vështirësi për ekzekutimin e detyrueshëm të kolateralit, një proces ky thelbësor në aktivitetin e bankave dhe shumë i rëndësishëm për ruajtjen e një sistemi bankar të shëndetshëm dhe një ekonomie konkurruese.

“Të gjitha bankat ndërmarrin procesin e ekzekutimit të kolateralit pasi kanë përdorur të gjitha mënyrat e tjera për mbledhjen e huave. Bankat janë në treg për të kredituar ekonominë dhe mbështetur bizneset dhe individët, por kjo është një marrëdhënie reciproke; ato duhet të mbrojnë gjithashtu paratë e depozitorëve të tyre. Kur nuk gjendet zgjidhje edhe pas negociatave e diskutimeve, bankat duhet të ndërmarrin ekzekutimin e detyrueshëm të kolateralit”, thuhet në njoftimin e AAB-së.

Bankierët shpjegojnë se një pjesë e vështirësive të hasura lidhen me proceset gjyqësore dhe vendimet e gjykatave për pezullimin e veprimeve përmbarimore, që çojnë në vonesa dhe pengim të procedurave për ekzekutimin e detyrueshëm, dhe mundësojnë huamarrësit të shmangin dhe vonojnë shlyerjen e detyrimeve financiare ndaj bankave. Pengesa të tjera, shprehen ata, lidhen me pasaktësitë në sistemin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe mangësitë e informacionit në dosjet përkatëse të pasurive, që shfaqen në momentin e ekzekutimit të kolateralit dhe e bëjnë këtë të fundit një proces shumë të vështirë ose të pamundur për bankat.

Gjithë sa më sipër, thuhet në njoftimin e AAB-së, “ndikon në zgjatjen artificialisht të procesit të ekzekutimit të detyrueshëm të kolateralit dhe në përkeqësimin e marrëdhënieve financiare mes bankës dhe klientit. Ndërkohë, kultivohet një mentalitet negativ: huamarrësit shpesh përqendrohen në gjetjen e mënyrave për të shmangur ekzekutimin e detyrueshëm të kolateralit në vend që të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë për shlyerjen e detyrimeve të tyre. Precedentë të tillë dëmtojnë rëndë veprimtarinë e bankave, duke vendosur në rrezik procesin dhe vazhdimësinë e shëndetshme të kreditimit, aq shumë të nevojshëm për zhvillimin ekonomik të vendit”.

Shoqata e bankave thekson se, “mbledhja e huave përmes ekzekutimit të detyrueshëm të kolateralit përdoret nga bankat si mundësia e fundit, pasi kanë konsumuar të gjitha opsionet e tjera për të mbajtur aktiv biznesin e huamarrësit. Pavarësisht se si mund të perceptohet nga këndvështrimi i huamarrësit në vështirësi, një proces efektiv i ekzekutimit të detyrueshëm i kolateralit përshpejton rikuperimin ekonomik, duke korrigjuar çmimet e aktiveve. Si i tillë, duhet të mbështetet nga të gjitha palët e interesuara”.