Lajme Shqip Wednesday, 29 June 2011 14:40

Tiranë – Regjistrimi i pronës dhe zbatimi i kontratave janë vështirësitë kryesore në të bërit biznes në Shqipëri. Banka Botërore prezantoi dje një studim për klimën e biznesit në Europën Juglindore, studim i kryer për qytetet kryesore të Shqipërisë, Serbisë, Kosovës, Bosnjes, Malit të Zi dhe Moldavisë.

Studimi analizon katër elementë kryesorë: hapjen e biznesit, lejet e ndërtimit, regjistrimin e pronës dhe zbatimin e kontratave në 22 qytete të rajonit. Për sa i takon qyteteve, në Shqipëri janë marrë në analizë Tirana, Durrësi, Shkodra dhe Vlora.

Siç ishte e pritshme, studimi evidentoi problemet që ka Shqipëria me sistemin e pronësisë dhe zbatimin e kontratave dhe akteve të tjera juridike. Qyteti shqiptar ku është më i lehtë regjistrimi i pronës është Shkodra, që renditet e nënta, ndërsa më i vështirë është regjistrimi i pronës në Tiranë, që renditet e 16-ta.

Tirana ka renditjen më negative edhe në zbatimin e kontratave, ku qëndron e 18-ta, ndërsa i pari ndër qytetet shqiptare për këtë tregues është Vlora, që renditet e dhjeta. Nga katër qytetet shqiptare, Shkodra është ajo që ka renditjen më të mirë për katër treguesit e marrë në analizë. Shkodra renditet e treta në rajon për shpejtësinë e marrjes së lejes së ndërtimit, ndërsa për të njëjtin tregues Tirana renditet e fundit, duke qënë se lejet e ndërtimit për periudhën e marrë në studim kanë qënë krejtësisht të bllokuara. Treguesi ku renditja e qyteteve shqiptare është mesatarisht më dinjitoze është hapja e një biznesi, ku ato zënë vendet nga i shtati, që është Vlora dhe deri tek i dhjeti, Tirana. (LajmeShqip.com)