Lajme Shqip Tuesday, 07 June 2011 19:02

Tiranë – Komuniteti i sipërmarrësve po studion mundësitë për të paraqitur kërkesat në Këshillin Konsultativ të Biznesit, ku pritet të rishqyrtohet drafti i tatimit progresiv.

Drejtues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, thanë sot se do të shqyrtojnë me ekspertë të kësaj fushe dhe biznese, anëtarë të tyre, mundësitë se si ta ndryshojnë këtë draft. Drafti i propozuar për ndryshimet në tatimin mbi fitimin, u  tërhoq  rreth 2 muaj më parë nga Qeveria për rishqyrtim me komunitetin e biznesit.

Por burime zyrtare nga Ministria e Financave  bëjnë të ditur se, akoma nuk është ngritur grupi i punës që do të riformulojë  draftin. Vendimi për tërheqjen për rishikim të projektligjit nga Ministria e Financave është bërë pak ditë para zgjedhjeve lokale, ndërsa tani nuk ndihet njeri për këtë cështje.

Por në kundërshtim me këtë draft janë shprehur jo vetem shoqatat e biznesit, por edhe  ekspertë të ndryshëm të ekonomisë.  Drafti i parë për tatimin mbi fitimin,  parashikonte aplikimin e një tatimi progresiv mbi bizneset në varësi të shkallës së fitimit. Kështu, ishte propozuar dyfishimi e tatimfitimit për ato kompani që deklarojnë se kanë fitime mbi 20 për qind të xhiros si dhe trefishimin të tij për ato biznese që deklarojnë se kanë fitim mbi 30 për qind të xhiros.

Ndryshimet e propozuara në këtë projektligj kanë një rendësi të madhe edhe për buxhetin, pasi subjektet që preken nga ato janë kryesisht bizneset e mëdha, si bankat, kompanitë e telefonisë celulare apo prodhues të rëndësishëm, të cilat kontribuojnë me sasi të konsiderueshme detyrimesh në arkën e shtetit.