Lajme Shqip Friday, 12 April 2013 11:03

Prishtinë (plotesuar )- Komiteti për Privatizim të PTK-së hapi pak më parë  ofertat financiare të dy konkurrentëve për privatizim të 75 për qind të aksioneve të “Valës” dhe Telekomit të Kosovës. Me ofertën prej 277 milionë eurosh,  kompania “Axos GMBH” në konsorcium me “Najafi Companies”,  u kualifikua si ofertuesi më i favoreshëm, meqë ofertuesi tjetër, “M1 International” ofroi vetëm 150 milionë e 10 mijë euro.

Komiteti për privatizim do t’ia rekomandojë Qeverisë ofertuesin më të favorshëm.

Sipas tenderit ishte paraparë që koncesionet 75 për qind t’i jepen ofertuesit me çmim më të lartë. Besim Beqaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik tha se statusi i të gjithë të punësuarve mbetet i pandryshuar për tre vjetët e ardhshme.(Lajmeshqip.com)

***********************************************************

Prishtinë – Komisioni Qeveritar për Privatizimin e PTK-së ka bërë me dije se sot do të bëhet hapja e ofertave financiare për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të PTK-së, ku në garë janë Kompania Axos Capital Partners dhe M1 International/M1 Group.

Axos Capital Partners është në konzorcium me kompaninë Amerikane Najafi Companies LLC e cila është një firmë private ndërkombëtare e investimeve me bazë në Phoenix, Arizona (SHBA) dhe me shtrirje në Evropë dhe vende të tjera.

Ky konzorcium, në projektin e privatizimi të 75 për qind të aksioneve të PTK-së ka partneritet me British Telecom. Ndërsa, M1 International/M1 Group është një grup investues me bazë në Liban, me përvojë në investime në fusha të ndryshme, si telekomunikimi, aviacioni, energjia, ndërtimi etj.

Është themeluar në vitin 1960, ndërsa ka filluar të investoj në tregun e telekomit që nga viti 1980, ku kompania më e madhe e telekomunikimit në të cilën ka investuar ka qenë Investcom.

Në vitin 2006, M1 Group përmes Investcom u kombinua në një transaksion me MTN që është një kompani multinacionale e telekomunikimit me bazë në Afrikën e jugut. M1 Group është njëri nga aksionarët me te mëdhenj të MTN.(LajmeShqip.com)