Lajme Shqip Monday, 20 June 2011 15:20

Tiranë – Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme duhet të rrisin shkallën e formalizimit për të përfituar më shumë kredi nga bankat.

Gent Sejko, zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Societe Generale Albania, thotë se megjithë vullnetin e mirë të bankave, niveli ende i lartë i informalitetit është pengesë për kreditimin e SME-ve. Mungesa e një kontabiliteti të detajuar dhe të besueshëm, sipas tij, e bën të vështirë vlerësimin kreditor të shoqërive aplikuese.

Për sa i takon pjesës tjetër të produkteve retail, Sejko shprehet se tregu i kredive për individë, megjithëse ka vuajtur një rënie të kërkesës, është dinamik dhe bankat janë shumë të interesuara për të kredituar në këtë segment.

Sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave, në fund të muajit prill kredia për individë kishte vlerën e 151.9 miliardë lekëve, me një rritje vjetore prej 5%. Pas një ecurie në stanjacion gjatë vitit 2010, këtë vit kredia për individë po jep shenja gjallërimi.