Lajme Shqip Thursday, 30 June 2011 13:33

Tiranë – Tregu i sigurimeve përmirëson ecurinë e vet. Sipas të dhënave zyrtare, të publikuara nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare, për pesë muajt e parë të vitit, volumi i përgjithshëm i tregut arriti vlerën e 3.6 miliardë lekëve, me një rritje prej 8.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Shtysa vazhdon të vijë kryesisht nga tregu i sigurimit të jetës, që u rrit me 43%, ndërsa tregu i jo-jetës regjistroi një ritëm rritjeje me më pak se 6%. Për t’u theksuar se sigurimet e jetës përbëjnë 12% të totalit të tregut, nga 9% që zinin një vit më parë. Numri i kontratave vazhdon të rritet me ritme më të larta se volumi i primeve.

Në fund të muajit maj, numri total i policave të shitura nga shoqëritë e sigurimit që nga fillimi i vitit arriti në 513 mijë, me një rritje prej 115% krahasuar me një vit më parë. Kategoria që ka dhënë shtysën kryesore në rritjen e shpejtë të numrit të kontratave, ka qënë ajo e sigurimit të aksidenteve dhe sëmundjeve, kategori kjo e lidhur em sigurimin e detyrueshëm për udhëtimet jashtë vendit.

Vlera e dëmeve të paguara nga kompanitë e sigurimeve po rritet me ritme më të ngadalta krahasuar me vitin e kaluar, pothuajse përpjestimisht me rritjen e primeve. Për pesë muajt e parë të vitit, kompanitë e sigurimeve paguan 903 milionë lekë dëme, me një rritje prej 9.2% krahasuar me një vit më parë. Kështu, raporti mes dëmeve dhe primeve ka ngelur pranë nivelit 25%, pothuajse në vlerë të njëjtë me pesëmujorin e parë të vitit të kaluar.