Lajme Shqip Thursday, 20 June 2013 10:36

Prishtinë – Auditori i Përgjithshëm ka zbuluar një mal shkeljesh në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale(MPMS),e cila udhëhiqet nga Nenan Rashiq.

Sipas auditorit, në Shtëpinë e Pleqve në Prishtinë për një sezon dimëror (periudhë gjashtë mujore) ishin shpenzuar 51,500 litra të derivateve (naftë) në vlerë prej 65,405 euro.

Auditori ka gjetur edhe shkelje të tjera në këtë Ministri, përkatësisht me kontratat e punës së stafit. MPMS,sipas auditorit, kishte nënshkruar kontratë të rregullt pune në pozitë drejtuese, me pagë sekondare. Në kontratë nuk ishte precizuar orari i punës, shkruan “Zëri”.

Në bazë të shënimeve nga sistemi i Payrollit, auditori ka vërejtur se zyrtari i njëjtë ka edhe kontratë të rregullt pune me pagë primare në një organizatë tjetër buxhetore.

Edhe sa i përket pagesave për punët jashtë orarit të stafit,në tri raste në Administratën Qendrore të MPMS-së, për shkak të rritjes se vëllimit të punëve pas shkuarjes së disa zyrtarëve në pushime, u janë bërë kompensimet zyrtarëve aktivë për kryerjen e detyrave shtesë, këto punë shtesë janë kryer gjatë orarit të rregullt të punës.

Ministria e Punës gjatë vitit 2012 në pesë raste ka lidhur kontrata mbi vepër (të përkohshme) jashtë procedurave të konkursit.