|
|
e Shtunë, 11 Gusht 2012 13:19 Prishtinë – Pas paralajmërimeve për shtrenjtimin e bukës në vendin tonë, prej së enjtes nëpër disa furra buke në kryeqytet janë vërejtur çmimet e reja të bukës.
Furra që deri të mërkurën ka shitur bukët me çmim prej 30 centëve, e ka ngritur atë në 40 centë. Por, jo të gjitha furrat kanë vepruar kësisoj. Të premten në disa furra, artikulli më i përdorur në familjet kosovare, buka është shitur me çmime të vjetra, nga 30 deri në 35 centë.
Sipas furrtarëve, ngritja e çmimit të bukës bëhet për arsye të ngritjes së çmimit të miellit, kurse ky i fundit është shtrenjtuar shkaku i thatësisë dhe rendimenteve më të ulëta në disa pjesë të botës, si për shembull në SHBA.
Në anën tjetër, Ministria e Bujqësisë fajëson mullisët e Kosovës për marrëveshje të fshehtë për rritjen e çmimit të bukës. (LajmeShqip.com)