Lajme Shqip e Hënë, 16 Korrik 2012 19:00

Prishtinë – Kosovarët kanë investuar në Shqipëri më shumë se 33 milionë euro brenda një periudhe trevjeçare. Sipas të dhënave nga Banka Qendrore e Kosovës këto investime po bëhen kryesisht në sektorin e pasurive të patundshme. Sipas të dhënave, investimet më të larta nga kosovarët në Shqipëri ndodhën në vitin 2008, kur arritën vlerën 19.2 milionë euro.

Një vit më pas investimet u zvogëluan për më shumë se 8 milionë euro dhe vazhduan me një trend të tillë të zvogëlimit e në vitin 2010. Sipas ekspertëve investimet kosovare në Shqipëri i ka përshpejtuar ndërtimi i autostradës mes dy shteteve. Bregdeti shqiptar po bëhet më atraktiv për investimet e kosovarëve. Investimet kryesisht po ndodhin në Tiranë dhe Durrës dhe më pak në qytetet jugore bregdetare të Shqipërisë.

Profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku, thotë se blerjet e patundshmërive në Shqipëri i ka përshpejtuar ndërtimi i autostradës mes dy shteteve.  Sipas tij, investimet në patundshmëri në Shqipëri kryesisht po bëhen nga diaspora dhe afaristët kosovarë, të cilët qëndrojnë më mirë financiarisht sesa pjesa dërrmuese e kosovarëve, e cila përballet me një situatë të vështirë ekonomike.

Për dallim nga kosovarët, sipas tij, nuk vërehen investime të shtetasve të Shqipërisë në Kosovë. Ai shton se Kosova ende nuk është bërë vend atraktiv për investime serioze në biznes dhe shumë investime ndodhin në patundshmëri, pompa të benzinës, objekte hoteliere etj.

Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës(OEK), Safet Gerxhaliu, ka pohuar se pas ndërtimit të Rrugës së Kombit, interesimi i kosovarëve për blerjen e apartmaneve në Shqipëri është në rritje e sipër. (LajmeShqip.com)