Lajme Shqip Saturday, 18 June 2011 15:34

Shkup – Në Shkup jeta është më e lirë nga i gjithë rajoni, ndërsa në krahasim me metropolet botërore, shpenzimet për jetesë janë më të ulëta vetëm në Minsk të Bjellorusisë dhe Kishinjev të Moldavisë.

Deri te këto të dhëna ka arritur Agjencia ndërkombëtare “ECA internacional”, e cila ka bërë hetime për harxhimet e jetesës në 78 qytete të botës. Në këtë radhitje qyteti më i shtrenjtë është Tokio, ndërsa pas tij është qyteti i Norvegjisë, Oslo. Nga qytetet e ish-Jugosllavisë, qyteti më i shtrenjtë është Zagrebi, edhe më i shtrenjtë se Lubjana e Sllovenisë, vend i cili është në Bashkimin Evropian (BE). Beogradi, edhe pse gjendet në fund të listës të qyteteve të ranguara sipas çmimit të harxhimeve jetësore, me vendin 73-të është më i shtrenjtë se Shkupi.

Edhe krahas kualifikimit të metropolit të Maqedonisë si njëri nga vendet më të lira për jetesë, qytetarët nuk i ndjejnë çmimet e ulëta, pasi nëse bëhet krahasimi me pagat dhe lartësia e ndihmës sociale që e merr një e treta e popullatës, e cila është e varfër, atëherë do të shihet se numri më i madh i prodhimeve të nevojshme për jetesë bëhen të paarritshme.

Sipas të dhënave statistikore për prodhimet ushqimore në Serbi dhe Kroaci, mund të vërehet se ushqimi është më i shtrenjtë në Maqedoni prej 20 deri në 40 për qind, por të ardhurat mesatare në Kroaci janë dyfish më të mëdha se ato në Maqedoni, ndërsa në Serbi marrin së paku 10 për qind pagë më të lartë se në Maqedoni.

Sipas të dhënave me të cilat disponojnë statistikat shtetërore, në Kroaci paga mesatare është 744 euro, në Serbi është 360 euro, ndërsa në Shkup 337 euro.

Ajo që Shkupi është shpallur ndër qytetet më të lira në rajon, ndërsa edhe në botë, për qytetarët e Maqedonisë nuk ka ndonjë domethënie. Pothuajse një e treta e popullatës është e varfër, kurse gjysma e qytetarëve nuk punojnë. Pjesa më e madhe e popullatës që punojnë janë në industrinë e tekstilit, ku merret pagë më e ulët se 7.000 denarë, ndërsa në industrinë ushqimore paga më e lartë është 14.000 denarë.

Prandaj, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) kërkoi ligj me të cilin do të caktohej paga minimale, e cila nuk do të ishte më e ulët se 200 euro.