Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 19:50

Shkup – Transportimi i prodhimeve jashtë vendit në katër muajt e parë të këtij viti ka hasur në rritje për 50 për qind në krahasim me të njëjtin periudhë vitin e kaluar, por fitimi për transportuesit nga Maqedonia është më i madh vetëm për 10 për qind, thonë transportuesit vendas.

“Kemi më shumë punë, më shumë porosi për transport nga kompanitë, por fitimi është i vogël pasi që janë rritur harxhimet për benzinë dhe pjesët rezervë. Tani neve na mungojnë të holla që t’i paguajmë të gjitha harxhimet, ku hynë edhe taksat rrugore, matja e mallit që e transportojmë, të cilin ende e paguajnë në disa shtet, taksat për inspektorati sanitarë si dhe shumë gjëra tjera. Që t’i paguajmë të gjitha këto harxhime, të ardhurat që i fitojmë nuk janë të mjaftueshme por duhet të marrim edhe kredi”, deklaroi Biljana Muratovska, kryetare e transportuesve të Maqedonisë “Makamtrans”. Ajo thotë se është e nevojshme që çmimi i radhës për transportin të jetë prej 40 deri në 50 për qind më i lart se ai që është tani.

Sipas saj, momentalisht radha që vozisin në një drejtim jashtë vendit kushton prej 3.000 deri në 6.000 euro, varësisht nga largësia e destinacionit final deri ku vozisin transportuesit nga vendi. Muratovska thotë se në dy vitet e fundit, kur kishte recesion, kanë qenë të detyruar të vozisin edhe me çmime më të ulëta, për shkak të konkurrencës së madhe. Problemi i dytë me të cilin ballafaqohen transportuesit është edhe problemi me pagesat. Sipas Muratovskës, kompanitë të cilat u sigurojnë porosi për transport u paguajnë me vonesë deri në katër muaj ndërsa ajo është humbje për mbijetesën e transportuesve. Ata presin që kjo të zgjidhet pasi që firmat që sigurojnë punë për transportim do të duhet të paguajnë 50 mijë euro që të marrin licencë për organizimin e tyre. Në këtë mënyrë do të pastrohen nga tregu vendas kompanitë të cilat nuk kanë qenë të aftë ta paguajnë punën për transportuesit dhe do të ngelen vetëm ato që kanë kapital më të madh.

Përndryshe, me ligjin e ri për transport, përderisa firmat që kanë siguruar punë për transportuesit nuk u kanë paguar në kohë, transportierët do të mund pas 60 ditësh nga skadimi i faturës ta aktivizojnë garancinë bankiere të borxhliut dhe ta paguajnë borxhin.