Lajme Shqip Tuesday, 02 October 2012 11:54

Prishtinë – Punëtorët e PTK-së protestuan sërish kundër privatizimit të kompanisë. Në ditën kur disa nga privatizuesit e mundshëm kanë qenë për vizitë në PTK, protestuesit kanë dalë në rrugë dhe u kanë fishkëllyer.

Ata kërkojnë bisedime si dhe shtyrje të procesit të privatizimit, në të kundërtën thonë se do të shkatërrojnë gjithçka. Kryetar i Federatës së pavarur Sindikale të PTK-së, Milazim Alshiqi, ka ripërsëritur se janë kundër privatizimit, pasi sipas tij, është duke ndodhur pa asnjë bazë ligjore dhe se askush nuk po merret me punëtorët. “Ne kemi bërë kërkesa të pareshtura që të kontaktojmë me qeverinë dhe njerëzit që janë përgjegjës, asnjëherë nuk na kanë ftuar.

E kemi dorëzuar kontratën kolektive nuk na kanë kthy përgjigje, nuk kemi kontratë punëdhënës-punëmarrës, nuk ka siguri. Ato që thonë do të jetë një kontratë 3 vjeçare, janë veç fjalë.

Alshiqi thotë se ka presion nga punëtorët që të bëhet një zgjidhje dhe se është e pashmangshme t’i iket radikalizmit nëse përgjegjësit e privatizimit nuk e shtyjnë këtë proces. Kohë më parë, ministri i zhvillimit ekonomik Besim Beqaj, ka thënë për Radio Kosovën, se kompanitë e parakualifikuara kanë afat 8 javë që të ofertojnë për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të kompanisë, kurse fituesi pritet të shpallet deri në fund të vitit.

Në garë janë pesë konsorciume ndërkombëtare. Ato duhet të plotësojnë kushtet formale ligjore, financiare dhe teknike të përcaktuara në udhëzimet për tenderues, ndërsa kriteri i vetëm në bazë të së cilit do të përzgjidhet blerësi potencial do të jetë çmimi më i lartë i ofruar për aksionet që do të shiten.(LajmeShqip.com)