Lajme Shqip Tuesday, 07 June 2011 18:56

Tiranë – Kryeministri i vendit i qëndron bindjes se taksimi progresiv është një dogmë marksiste. Gjatë takimi vjetor të Fondit për Europën Juglindore që u mbajt sot në Tiranë, Berisha u shpreh se paratë janë më efiçente në llogaritë e investitorëve privatë, se të qeverisë.

Ai citoi një studim të Universitetit të Oksfordit, sipas të cilit për çdo USD taksë që ju ulet korporatave, 54% e tyre shkojnë si përfitime për punonjësit. Kryeministri la të kuptohej se ka ndryshuar mendje lidhur me projektin e centralit bërthamor dhe u shpreh se Shqipëria do të mbështetet në potencialet e mëdha të energjisë së rinovueshme dhe i bëri thirrje EFSE që të financojë projektet konçesionare të ndërtimit të hidrocentraleve.

Kryeministri Berisha i quajti nivelet e larta të borxhit si fantazma financiare dhe si një ndër rreziqet kryesore për ekonominë e sotme. Sipas tij, e vetmja rrugë për të ardhmen është ulja e borxheve publike dhe forcimi i sektorit privat.