Lajme Shqip Friday, 30 March 2012 14:48

Përgatitja e projekteve cilësore për thithjen e financimeve për fermerët, ishte tema kryesor që u diskutua të premten në Tiranë, në takimin e organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.

Grigor Gjeçi, Drejtor i Politikave Zhvillimore në ministrinë e Bujqësisë, duke sjellë në vëmendje të pjesëmarrësve zbatimin e programit të qeverisë për subvencionimin, si një ndër drejtimet kryesore që mbështet financiarisht fermerët dhe bujqësinë shqiptare, tha se “kjo eksperiencë duhet të zgjerohet edhe përmes projekteve konkurruese në fushën e bujqësisë, me qëllim thithjen e financimeve të huaja”.

Sipas tij, programi i subvencionimit ka hyrë në fazën intensive të zbatimit të tij dhe parashikon që numri i fermereve përfitues, deri në fund të këtij viti, të rritet 30 % krahasuar me një vit më parë.

E veçanta në programin e mbështetjes për këtë vit, vlerësoi ai, është futja e skemave të reja që favorizojnë zonat malore të vendit, në mënyre të veçanta ato më pak të favorizuara.

Ndërkohë që, dy janë komponenët bazë që po marrin përparësi: Programi kombëtar i ullirit dhe arroret, gështenja, lajthia, bajamja dhe shega.

Sipas tij, qëllimi i këtij aktiviteti ishte të informojë, sensibilizojë dhe të rrisë aftësitë e fermerëve për thithjen e financimeve nga skemat e mbështetjes së bujqësisë me fondet e buxhetit të shtetit dhe donatorëve, mbi përgatitjen e projekteve cilësore.