Lajme Shqip Saturday, 20 April 2013 12:36

Romë – Promovimi i ndërtimit të gazsjellësit Trans Adriatik Pipeline (TAP) ishte fokusi i takimit që u zhvillua në Romë mes përfaqësuesve të tre vendeve (Shqipëri-Greqi-Itali), ku pritet të kalojë ai. 

Zëvendësministrja e Jashtme shqiptare Edi Harxhi, zv.ministri i Tregtisë Eno Bozdo, zv.ministri i Jashtëm Italian Marta Dasu dhe zv.ministri grek i mjedisit Makis Papageorgiu, u takuan dje në Romë, në kuadër të vazhdimit të bashkëpunimit për ndërtimin e këtij gazsjellësi kaq të rëndësishëm për të tre vendet. 

Në takim u diskutua për krijimin e një grupi pune të përbashkët për koordinimin më të mirë midis tre vendeve, në mënyrë që të sigurohet mbështetje më efektive për procesin e përzgjedhjes së tij nga konsorciumi, që shfrytëzon vendburimet në Azerbajxhan, Shah Deniz II.

Veçanërisht optimist u shfaq zëvendësministri grek i Mjedisit, Energjisë dhe Ndryshimit të Klimës, Makis Papageorgiou. Pas përfundimit të takimit ai deklaroi se të tre vendet kërkuan për t’i dhënë një ton më strategjik bashkëpunimit të tyre në mbështetje të TAP.

“Ky është një projekt shumë i rëndësishëm, për të tre vendet tona. Për këtë arsye ne kemi krijuar një Këshill të Ministrave të vendeve tona, të cilët do të takohen rregullisht për të mbështetur dhe promovuar këtë projekt”, tha ai. Papageorgiou shtoi se kjo mbështetje do të jepet në të gjitha drejtimet, si për konsorciumin në Azerbajxhan ashtu edhe në Bruksel. 

“Eshtë e qartë se është ky projekt, që do të që zbatojë “Korridorin Jugor” të dizejnuar nga Komisioni evropian, i cili mundëson zhvillimin e rrjeteve dhe furnizimeve me gaz për Ballkanin dhe Evropën Juglindore. Ai është një projekt strategjik për vendet tona, ndaj duhet një përpjekje gjithëpërfshirëse për ta fituar këtë betejë”, përfundoi zv.ministri grek i Mjedisit.(LajmeShqip.com)