Lajme Shqip Tuesday, 14 June 2011 18:29

Tiranë – Produktiviteti i punës po bie dhe kjo e bën ekonominë shqiptare më pak konkurruese. Në një studim të përgatitur nga Evelina Çeliku dhe Iris Metani, specialiste në Departamentin e Politikave Monetare në Bankën e Shqipërisë, evidentohet se për periudhën nga viti 2003 deri në vitin 2010 produktiviteti i punës në sipërmarrjet shqiptare ka ardhur në rënie, ndërsa kosto për njësi të prodhuar ka ardhur në rritje. Studimi tregon se, produktiviteti i punës në ekonominë shqiptare ka arritur pikun në vitin 2005, ndërsa më pas ka ardhur në rënie.

Por, vlen të theksohet se rënia e produktivitetit dhe rritja e kostove për njësi prodhimi ka ardhur edhe si rezultat i uljes së punës në të zezë dhe forcimit të masave administrative për deklarimin e pagave. Ulja e informalitetit ka ndikuar sidomos në sektorë të tillë si ndërtimi. Sektorët që paraqesin produktivitet më të lartë të punës në ekonominë shqiptare janë industria dhe shërbimet. Sipas studimit, prapa disavantazheve konkurruese të ekonomisë shqiptare ndaj ekonomive rajonale dhe europiane, qëndrojnë mbi të gjitha diferencat e dukshme në produktivitetin e punës.

Rritja e saj, do të ndihmonte në mënyrë të qenësishme në krijimin e përparësive konkurruese të ekonomisë në termat e kostove të punës. Kjo, do të ndihmonte njëherësh në kontrollin e presioneve inflacioniste të nxituara nga rritja e pagave dhe e kostove të punës, për njësi të prodhuar. Studimi rekomandon rritjen e inovacionit dhe teknologjive moderne në sektorin e prodhimit, por edhe një monitorim të kujdesshëm të nivelit të pagave, duke e mbështetur rritjen e tyre pikërisht në rritjen e produktivitetit të punës.