|
|
e Mërkurë, 29 Shkurt 2012 18:45 Prishtinë – Komisioni Qeveritar për Privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës ka përzgjedhur konsorciumin Lazard Freres dhe Raiffeisen Investment AG si këshilltar të Transaksionit për privatizimin e PTK-së.
Nga 12 kompani sa kishin konkurruar, ishin përzgjedhur 6 sosh, kurse pesë prej tyre kanë marrë pjesë në fazën e dytë të tenderit.
Lazard, njëra nga kompanitë më të njohura këshilluese financiare në botë, vepron në 27 shtete të ndryshme në të gjithë globin.
Kjo kompani vepron nga viti 1848 dhe ofron këshilla mbi bashkimet dhe blerjet, çështjet strategjike, ristrukturimin dhe strukturën e kapitalit, të rritjes së kapitalit dhe financave të korporatave, si dhe shërbimet e menaxhimit të aseteve në shoqëritë, ortakëritë, institucionet, individët.
Ndërsa, Raiffeisen Investment AG është lider si Këshillues në Financat Korporative të Evropës. Grupi i Bankave të Raiffeisen ka një nga rrjetet më të forta të bankave komerciale dhe bankave investuese ne Evropën Qendrore & Lindore dhe zyrat përfaqësuese në tërë botën, që operojnë 3 mijë e 200 degë me 60 mijë të punësuar.
Përveç vendeve tjera, Raiffeisen ka ofruar këshilla të transaksionit për më shumë se 250 procese të privatizimit në Evropën Qendrore dhe Lindore, ndërsa gjatë dekadës së kaluar ka qenë veçmas shumë aktiv në sektorin e telekomit, ku ka marrë pjesë në shumicën e privatizimeve më të mëdha në këtë sektor të kryera në rajon.