Lajme Shqip Saturday, 11 May 2013 15:04

Prishtinë – “KEDS-i po del që nuk është shitur as për 26 milionë euro. Pas atyre 15 milionë eurove për orët digjitale tash po dalin edhe këto 17.8 miliona tjerë. Kësisoj, KEDS-in po del se i kanë dhënë para Çalik-ut që ta merr. Blerësit po del se shitësi i ka borxh”, vlerëson Lëvizja Vetëvendosje. 
Dardan Sejdiu dhe Shpend Ahmeti nga VV, paraqitën të dhënat mbi dëmtimin e interest public dhe parregullësitë rreth procesit të privatizimit të KEDS dhe Telekomit.
“Shtrohet pyetja se pse është caktuar kjo shumë 17.8 milion euro. Për shkak se koha sa ZRrE mund të ndikojë në çmim është e kufizuar. Me 1 janar 2015 ZRrE nuk do të mund të ndikojë në çmimin e operatorëve të liçensuar. Ligji 03/L-185 për rregullatorin e energjisë Neni 41, Pika 1.2. thotë:
“Pas 1 Janarit 2015 Zyra e Rregullatorit të Energjisë do të ndërpresë caktimin e tarifave të cilat u ngarkohen konsumatorëve nga ndërmarrja e energjisë elektrike që mban licencën për furnizim publik, përveç nëse Zyra nuk është e kënaqur me efektshmërinë e konkurrencës në furnizimin e energjisë elektrike”, thanë zyrtarë të Vetëvendosjes. 
“Me faljen e KEDS-it monopoli publik po bëhet monopol privat. Nuk ka asnjë indicie që privatizimi i Distribucionit do të krijojë diçka “të re” në kuptimin e konkurrencës dhe “përfitimeve” prej saj pra çmime më të favorshme apo përmirësim cilësie në shërbime. Në kushtet e një monopoli të tillë, ku varshmëria e Qeverisë, e çdo qeverie jo veç e kësaj, nga Çalik-Limak është 100% rrezikohen seriozisht investimet e pretenduara në shifrën 300 milionë. 
Çfarë mund t’i bëjë qeveria nëse nuk i realizon investimet Çalik-Limak? Praktikisht asgjë. Meqenëse në të njëjtën kohë qeverisë i duhet minimalisht të ketë garanci që furnizohen me energji spitalet, shkollat, doganat, ujësjellësi, administrata, policia etj. Edhe nëse nëpërmjet ZRRE hapen procese apo konteste gjyqësore do të zgjasin me vite duke e futur vendin në një lloj kolapsi në sektorin e energjisë. 
Kështu me shitjen 100% të aksioneve ne kemi siguruar një konflikt të përgjithshëm social dhe në afatgjatë. Pra lëndë të reja në Gjykata dhe raste të reja në polici”, vlerësuan ata.