Lajme Shqip Wednesday, 01 June 2011 16:36

Tiranë – Kredia për ekonominë në muajin Prill u rrit me katër miliardë lekë. Të dhënat zyrtare të publikuara nga Banka e Shqipërisë treguan se portofoli i kredisë arriti vlerën e 500.2 miliardë lekëve, me një rritje mujore prej 0.8%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë rritja e kredisë ishte 11.1%.

Kjo normë e rritjes së kredidhënies qëndron pranë nivelit mesatar të vitit të kaluar, por është një ecuri më e mirë krahasuar me pjesën e parë të vitit të kaluar.

Të dhënat tregojnë se rritja e kredidhënies vazhdon të mbështetet në pjesën më të madhe te kërkesa e biznesit. Depozitat vazhduan të rriten edhe gjatë muajt Prill, duke arritur gjithsej vlerën e 800.7 miliardë lekëve, që shënon një rritje prej 2.7 miliardë lekë ose 0.33% krahasuar me muajin mars.

Në krahasimin vjetor, totali i depozitave të sistemit bankar është rritur me 15.5%. Raporti mes kredive dhe depozitave për muajin Prill ishte 62.5%, nga 64.9% që ishte një vit më parë.

Kjo tregon për sistem bankar më likuid, megjithatë duke ju referuar shifrave të muajve të fundit kredia po rritet me ritme disi më të larta krahasuar me depozitat. Kjo sinjalizon për kthesë të lehtë të tendencës së ekonomisë nga kursimet drejt investimeve.