Lajme Shqip Friday, 23 October 2015 16:25

Përveç bujqësisë, asnjë sektor tjetër nuk ka deklaruar se me investimet e veta të ketë hapur vende të reja pune në Kosovë. Punësimi mbetet prioritet i kësaj qeverie, e cila gati po mbushë 1 vit nga marrja e mandatit.

Por punësimi duket ende sfidë për pjesën më të madhe të sektorëve, duke përjashtuar bujqësinë e cila me investimet që ka dhënë direkt në ferma të reja dhe ekzistuese thuhet se do të hapë 2500 vende të reja pune, raporton ORAinfo.

Në sektorët e tjerë, ende nuk ka asnjë deklarim, apo statistikë se sa vende pune janë hapur me investimet që kanë bërë ministrisë e caktuara apo rrethanat lehtësuese që kanë krijuar për t’u hapur ato vende të punës.

Qeveria është përpjekur ne sektorë të ndryshëm të krijojë lehtësira të ndryshme fiskale për të zhvilluar bizneset por ka pas mjaftë kritika për dobitë pozitive të tyre si dhe ende nuk ka të dhëna se cili ka qenë impakti i këtyre politikave zhvillimore dhe të punësimit.

Kujtojmë se PDK dhe LDK kishin premtuar veç e veç nga 200 mijë, respektivisht 120 mijë vende pune. Por kjo duket se po mbetet vetëm pjesë e fushatës.