|
|
e Enjëte, 12 Korrik 2012 08:31 Tiranë- Kryeministri Sali Berisha ka inauguruar sot terminalin e ri në portin e Durrësit, një investim ky që kap shifrën e 21, 9 milionë eurove. Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë deklaroi se ky terminal do të jetë porta e Shqipërisë Europiane, por edhe e mbarë rajonit. 
“Terminali që po inaugurojmë sot është porta e Shqipërisë Europiane. Ky terminal modern do jetë portë edhe për mbarë rajonin tonë drejt perëndimit dhe anasjelltas”, deklaroi ai.
Kryeministri u shpreh se, qeveria e tij do vazhdojë të ketë në vëmendje investimet në qytetin bregdetar. “Investimet në qarkun e Durrësit janë ndër më të mëdhatë të realizuara në këto vite. Nga 2005 deri sot, kemi asfaltuar mbi 400 km rrugë në qarkun e Durrësit, rikonstruktuam 62 shkolla e 106 ambulanca. Brenda pak javëve do inaugurojmë impiantin e përpunimit të ujërave të zeza dhe kolektorin e lidhur me të, një ndryshim ky rrënjësor për qytetin”, tha Berisha.
Kryeministri deklaroi më tej se qeveria e tij ka marrë masa për ta mbrojtur vendin nga kriza ekonomike që ka prekur Europën. Ai tha se pikërisht investimet tregojnë alternativën e kësaj qeverie për ta përballua krizën.
“Ne kemi marrë masa për ta mbrojtur vendin nga kriza, borxhi i Shqipërisë nuk është rritur as 1%, ne nuk kemi ulur rrogat e pensionet si në vendet e tjera. Ne kemi vazhduar të investojmë dhe kjo është alternativa jonë, kemi politika që e shndërrojnë Shqipërinë në vend të zhvilluar, do zhvillojmë infrastrukturën”, tha ai.
Berisha ndër të tjera akuzoi opozitën për qëndrimet e saj. “Qëndrimet e opozitës sot, si qëndrimet e Partisë së Punës, mohon çdo gjë të kapitalizmit, por ne jemi të vendosur në rrugën tonë”, shtoi kreu i qeverisë. (LajmeShqip.com)
