Lajme Shqip Saturday, 06 April 2013 18:53

Tiranë – Ministria shqiptare e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Projekti i Gazsjellësit Transadriatik (TAP) nënshkruan Marrëveshjen me Qeverinë e Vendit Pritës duke rënë formalisht dakord mbi termat e angazhimit për të ardhmen e tubacionit të Korridorit Jugor të Gazit. Marrëveshja përcakton rregullat sipas të cilave projekti do të realizohet dhe do të operojë në territorin shqiptar.

Pas kësaj marrëveshje dhe pas përfundimit të këtij projekti, këto tubacione do të kalojnë edhe nëpër shtetin e Kosovës.

Vetë Ministri i Zhvillimit dhe Ekonomisë Besim Beqaj, para disa ditësh ka konfirmuar se Kosova do të jetë pjesë e Korridorit Jugor të Gazit.

“Qeveria e Kosovës, do të ofrojë hapësirën e vetë për korridorin Jugor të Gazit dhe besojmë se kjo është në interesin tonë”, ka thënë Besim Beqaj.

Bëhet e ditur se ky projekt, pas Shqipërisë do të nis për Kosovë. Vetëm në Shqipëri Investimi i TAP llogaritet të jetë 1 miliard euro për afro 209 kilometra tubacione

Kjo përfshin procese të blerjes dhe servitutit të tokës, zbatimin e standardeve teknike, të sigurisë për komunitetin, si dhe rregulloret për lejet. Pas ratifikimit të pritshëm nga Kuvendi në javët në vazhdim, MQP-ja do të kthehet në një ligj të plotë dhe të zbatueshëm.

“Është firma ime e parë në këtë institucion dhe kjo më bën vërtet krenar, që kjo firmë përkthehet në miliarda dollarë investime të drejtpërdrejta ose indirekte, në mbi 20 mijë vende pune, në më shumë të ardhura dhe në jetë më të begatë për qytetarët shqiptarë”, tha ministri Florion Mima.

TAP është një nga burimet më të mëdha të investimeve të huaja në Shqipëri, që do të sillte prurje madhore të ardhurash në vend. Për më tepër, projekti do të luajë një rol madhor në zhvillimin e tregut shqiptar të energjisë, si dhe në çuarjen përpara të objektivit të qeverisë për t’u kthyer në një nyje gazi në Europën Juglindore.

Pikat e planifikuara të daljes në vend dhe një instrument i rrjedhjes në drejtim të kundërt do të ndihmojnë në përforcimin e sigurisë së furnizimit, ndërsa ekziston edhe një mundësi për zhvillimin e depozitave të gazit natyror në Fier.

“Sot (dje) vendoset një tjetër gur i rëndësishëm themeli për Projektin e Gazsjellësit TransAdriatik, duke treguar edhe njëherë gatishmërinë tonë për të përmbushur afatet kohore të Konsorciumit të Shah Deniz-it”, deklaroi Kjetil Tungland, drejtori menaxhues i TAP.

Gazsjellësi do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Deniz II në Azerbajxhan, përmes Greqisë dhe Shqipërisë, për në Itali, prej ku mund të transportohet më tej për në Europën Perëndimore, në sasi nga 10 deri në 20 miliardë metër kub në vit.(LajmeShqip.com)