Lajme Shqip Wednesday, 15 June 2011 07:11

Paris – Ekonomisti Nuriel Rubini, i njohur për atë që e parashikoi krizën financiare në vitin 2008, vlerëson se vendet nga “periferia e eurozonës” do të mund ta braktisnin Bashkimin monetar evropian gjatë pesë viteve të ardhshme, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Parisi.

Vlerësimin e këtillë, siç transmetojnë mediumet franceze, Rubini e paraqiti në një shkrim të publikuar në “Fajnenshëll Tajms” dhe në një konferencë në Singapor.

Sipas Rubinit, kriza debitore e dobëson eurozonën dhe i qet në sipërfaqe dobësitë e Bashkimit monetar evropian.

Eurozona, në të vërtetë, asnjëherë nuk ka qenë “zonë optimale monetare”, përkatësisht, me fjalë të tjera, grup i vendeve të cilat kanë interes të ndajnë monetë të njëjtë. Në mesin e vendeve të eurozonës akoma ekzistojnë dallime të mëdha dhe drastike ekonomike, ndërkaq edhe konkurrenca e tyre gjithashtu është me dallime të mëdha, mendon Rubini.

Ai vlerëson se mungesa e disciplinës buxhetore në vende si Greqia dhe Portugalia, përputhet me spekulimet në shtete të tjera si Spanja dhe Italia, pas çka vendet periferike nga eurozona u bënë më pak kompetitive.

Rubini mendon se për të funksionuar një zonë monetare, ajo duhet të shoqërohet nga politika buxhetore me burime mbinacionale të të ardhurave dhe emisione të obligacioneve të përbashkëta sovrane. “Mungesa e harmonizimit ekonomik, e çon eurozonën drejt disfatës”, mendon Rubini.

Sipas Rubinit, mjeti i vetëm për kthimin e konkurrencës së vendeve periferike të eurozonës është heqja dorë e tyre nga euroja dhe kthimi në valutat nacionale dhe devalvimi i tyre.

Ky skenar tani për tani duket i pamundshëm, por sipas Rubinit, nuk përjashtohet që kjoide të realizohet gjatë pesë viteve të ardhshme, duke pasë parasysh se ekonomitë e vendeve periferike po stagnojnë.

Shpëtimi është në depërtimin e ideve për federalizim më të madh të eurozonës, siç dëshirojnë disa liderë evropianë, potencon Rubini.