Lajme Shqip Friday, 30 March 2012 19:31

Partia Socialiste ka reaguar sot pas deklaratës së Kryeministrit Berisha në takimin me përfaqësues të komunitetit të biznesit  duke u shprehur se “Berisha e gënjeu biznesin, kur tha se Shqipëria është vendi i taksave më të ulta”.

Në një deklaratë për mediat, Sekretari për Programin në PS, Ilir Beqja , duke ju referuar raportit serioz të komisionuar nga Banka Botërore “Paying taxes 2012”,  theksoi se “është pikërisht ky raport që tregon se ngarkesa totale e taksave ndaj sipërmarrjes në Shqipëri është më e lartë se në vendet fqinjë”.

Sipas tij, “problemi kryesor që ka biznesi sot është ajo çfarë ata ngrenë me shqetësim dhe çfarë ne kemi përcaktuar në një nga kollonat tona kryesore të programit për rimëkëmbjen e ekonomisë në programin “Për një Rilindje Shqiptare”. Sot nëse është dikush që është kundra sipërmarrjes ky është kryeministri dhe kjo është qeveria. Është kundra sipërmarrjes sepse ka ende kontrata të shlyera dhe të papaguara. Janë 100 milion dollarë kontrata punësh publike të papaguara”.

“Do të vendosim një taksim të ndershëm dhe jo taksim të sheshtë”, ka nënvizuar më tej përfaqësuesi i selisë rozë.

Më tej Beqja u shpreh se “kushdo që bën biznes do të pasurohet nëpërmjet programin tonë, por pa dyshim do t’i kërkojmë të kontribuojë më shumë në shoqëri. Nuk mund të pranojmë që një sipërmarrës i madh apo një njeri me pagë si kryeministri, të paguajë njësoj si një punëtor, si një infermier, apo si një mësues”.

Ai vuri në dukje se biznesi kërkon heqje të referencave dhe plane afatgjatë.

” Por ajo që vuan më shumë biznesi janë aktet nënligjore, vendime qeverie, apo udhëzime të cilat dalin madje edhe me fuqi prapavepruese. Dhe ato në fakt përcaktojnë realisht sesa taksa paguhen në Shqipëri”, u shpreh përfaqësuesi i PS-së.