Lajme Shqip Thursday, 23 June 2011 16:30

Tiranë – Fituesi i licencës së dytë 3G do të përcaktohet në fillim të muajit shtator. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), ka shpallur zyrtarisht garën dhe hapja e ofertave do të bëhet pikërisht më datë 5 Shtator.

Ndonëse zyrtarizimi do të kërkojë disa ditë të tjera, me çdo gjasë fitues i garës do të jetë subjekti që do të paraqesë ofertën më të lartë. Rregullorja e tenderit parashikon se vlera e ofertës do të zërë 90% të totalit të pikëve, ndërsa koha e mbulimit me rrjet do të zërë vetëm 10 pikë nga 100 të mundshmet.

Vlera minimale e ofertave duhet të jetë të paktën 12.5 milionë euro dhe çdo ofertë nën këtë vlerë do të skualifikohet. Edhe këtë herë qeveria ka vendosur t’i japë prioritet sigurimit të të ardhurave ndaj liberalizimit të tregut.

Dhënia e licencave me garë është kundërshtuar nga operatorët celularë, që kanë kërkuar liberalizimin e plotë dhe dhënien e katër licencave të mundshme për të gjithë operatorët celularë.

Në fakt, gara për ofertën e dytë 3G vjen pa u mbushur akoma një vit nga dhënia e licencës së parë, që u fitua nga “Vodafone Albania” me një ofertë prej 31.4 milionë eurosh. Ndaj, dhënia e licencës së dytë në një afat kaq të shkurtër nuk kënaq as fituesit e garës së parë.

Sidoqoftë, nuk pritet që kjo garë e dytë të sjellë oferta të ngjashme me atë të parën. Në garën e vitit të kaluar, oferta e dytë e paraqitur, ajo e “Eagle Mobile”, ishte shumë larg ofertës së “Vodafone”, shumë pranë vlerës prej 12.5 milionë eurosh, shuma minimale e përcaktuar për kualifikimin e ofertave.