Lajme Shqip Friday, 30 March 2012 10:40

Prishtinë – Importi me mbishkrimin “Kosovo/UNMIK” është i papranueshëm, deklaron Oda Ekonomike e Kosovës. 

Bëhet e ditur se kohët e fundit, Doganat e Kosovës dhe institucionet e tjera të Republikës së Kosovës janë duke raportuar importin e një lloji të caktuar të produkteve nga Serbia, në ambalazhin e të cilave shënimi për vendin e destinacionit dhe përfaqësimit bëhet me “Kosovo/ UNMIK”.

“Importi i produkteve, të cilat përmbajnë këtë mbishkrim, është i papranueshëm dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi të Rpublikës së Kosovës. Prandaj, apelojmë te të gjithë përfaqësuesit  kosovarë të kompanive serbe që importojnë nga Serbia të mos pranojnë  veprime të tilla të  kundërligjshme në rastet e importit të produkteve me ambalazhin ‘Kosovo / UNMIK’ . Praktika të tilla janë kundër interesave të bizneseve dhe zhvillimit  ekonomik të Kosovës dhe kundër promovimit të vlerave të shtetësisë kosovare në këto momente mjaftë sfiduese me të cilat po ballafaqohet vendi ynë”, thuhet në komunikatën e Odës Ekonomike të Kosovës.

Po ashtu, Oda Ekonomike bën të ditur se nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) është informuar se ata do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të parandaluar këto praktika të importit.

“Brenda muajit prill 2012, MTI do të fillojë me inspektimin e këtyre produkteve të importuara. Nëse veprimet e këtyre  importuesve mbesin të njejta, MTI do të ndërmarrë masa për konfiskimin e të gjitha produkteve me ambalazhim  ‘Kosovo / UNMIK’  sipas procedurave të parapara ligjore”, përfundon komunikata e Odës Ekonomike të Kosovës.