|
|
e Martë, 20 Mars 2012 10:27 Tiranë-Gjatë muajit Prill, ministria e Ekonomisë do të zhvillojë 3 gara të hapura për ndërtimin me konçesion të hidrocentraleve të rinj në zona të ndryshme të vendit.
Në 5 Prill do të zhvillohet gara e hapur për ndërtimin me konçesion të hidrocentraleve në kaskadën e Lusës nga kuota 469 metra, deri në derdhjen e lumit Mat.
Gjithashtu në 19 Prill do të zhvillohet gara për ndërtimin me konçesion të hidrocentraleve në kaskadën e lumit Osum, për të cilat METE ka vendosur disa kushte.
Ndër to janë moscënimet e Kanionit të Osumit, shpallur “Monument Natyre”, të kushteve të përcaktuara në kontratat konçesionare të nënshkruara me operatorë të tjerë ekonomikë në zonën e pellgut ujëmbledhës të lumit Osum.
Kaskada e HEC-eve në Osum konsiderohet e një rëndësie të veçantë për prodhimin e energjisë pasi do të kenë fuqi të llogaritur rreth 100 MË.
Në pellgun ujëmbledhës të Përroit të Arrëzës në rrethin e Tepelenës do të ndërtohet me konçesion hidrocentrali i ri vendor, pasi ministria e Ekonomisë do të zhvillojë në 23 prill garën për ndërtimin e tij, bënë të ditur sot për ATSH-në burimet zyrtare të METE-s.
Ky HEC do të ndërtohet në pellgun ujëmbledhës të Përroit të Arrëzës që shfrytëzohet nga kuota 500 metra mbi nivelin e detit, deri në 200 metra. Në të gjitha garat, ofertuesit janë të detyruar të kenë siguruar 2% të vlerës së gjithë projektit, që do të paraqesin. (LajmeShqip.com)