Lajme Shqip Wednesday, 30 March 2011 13:33

Prishtinë – Punëtorët e Postë-Telekomit të Kosovës do të protestojnë edhe nesër kundër privatizimit të kësaj ndërmarrjeje përmes projektbuxhetit të vitit 2011.

Protesta organizohet gjatë kohës së mbajtjes së seancës së Kuvendit të Kosovës rreth projektbuxhetit.

Sindikata e pavarur e PTK-së edhe njëherë kundërshton tendencën e privatizimit të PTK-së përmes buxhetit të Kosovës. Kryetari i kësaj sindikate, Milazim Alshiqi, tha se përmes përfshirjes së PTK-së në projektbuxhet, tentohet të bëhet presion mbi deputetët që pas votimit të buxhetit, përkundër bindjeve të tyre lidhur me shitjen e kësaj ndërmarrjeve, të votojnë për shitjen e saj.

“Meqenëse neni 4 nuk është larguar nga Projektligji i Buxhetit të Kosovës ne kemi vendosë të dalim prapë në protestë më 31 03 2011 në ora 10:30 minuta nga ndërtesa kryesore e PTK-së për të kërkuar nga deputetët të mos e votojnë buxhetin e Kosovës pa e larguar nenin 4 nga ky buxhet”, ka thënë Alshqi.

Alshiqi ftoi punëtorët e PTK-së që të protestojnë kundër kësaj mënyre të privatizimit, duke kërkuar që çështja e kësaj ndërmarrjeje të diskutohet në ndonjë seancë tjetër. Por ai nuk saktësoi se çfarë hapash do të ndërmarrin në rast se votohet edhe neni katër.

“Qëllimi i protestave tona ka qenë që të dialogohet para se të vijë te një veprim më radikal, të cilin nuk e dëshirojmë, por për këtë do të vendosë kuvendi i sindikatave dhe do të dalim me qëndrime që do të jenë më radikale se këto”.

Ndryshe, sindikata e PTK-së ka protestuar edhe javën e kaluar, kur kuvendi miratoi në parim projektbuxhetin, duke kundërshtuar shitjen e kësaj ndërmarrjeje.