Lajme Shqip Wednesday, 24 April 2013 16:37

Prishtinë – Nesër në gjithë Kosovën do të zhvillohet një protestë, e thirrur nga Grupi i Qytetarëve të Organizuar, i njohur për protestat e deritashme të mbajtura në kryeqytet. Vetë ora e mbajtjes 12 ka një domethënie, se “ka rënë ora” e alarmit.

Në protestat e radhës jemi bashkuar një numër i madh qytetarësh të profileve të ndryshme dhe nga komuna të ndryshme, thanë sot përfaqësuesit e Grupit të Qytetarëve të Organizuar. Protesta do të jetë më e madhja e organizuar si iniciativë e organizuar nga vetë qytetarët, pa implikime nga organizata politike ose të tjera. Kështu u tha në konferencën me gazetarët, në të cilën u paralajmërua protesta e nxitur nga mashtrimet e vjedhjet e KEK-ut përmes faturave.

Fokusi i protestave, ju përkujtojmë, mbeten parregullsitë, mashtrimet dhe hajnitë që kanë ndodhur me faturat e KEK-ut përmes manipulimeve në faturim, njehsorë dhe forma të tjera (për çka sot janë në proces dy hetime—nga Prokuroria dhe nga Komisioni Parlamentar—dhe dy raporte, njëri nga ZRRE, tjetri nga Avokati i Popullit). Këto manipulime (që tashmë kanë nisur të vërtetohen) kanë treguar paaftësinë institucionale të atyre që janë përgjegjës për t’u përballur me problemet e qytetarëve. Për më shumë, heshtjet e fundit për këto probleme na bindin që dyshimet tona për manipulime të tilla edhe në sferat tjera të shoqërisë janë gjithsesi të bazuara.

Grupi i Qytetarëve të Organizuar u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të tregojnë përgjegjësi para qytetarëve që përfaqësojnë. Të ndihmojnë sa më shumë në hetimet e nisura dhe të nisin hetimet edhe në sferat tjera që prekin mirëqenien e qytetarëve.

Si rezultat i kërkesave që dolën nga konsultimet me qytetarë dhe grupeve tjera përfaqësuese anembanë Kosovës, Grupi i Qytetarëve të Organizuar thërret të gjithë qytetarët e Kosovës të dalin në protestë me 25 prill 2013, e enjte, duke filluar nga ora 12:00 në të gjitha qytetet e Kosovës me moton “NDALE HAJNINË”.

Organizatorët rikujtojnë edhe njëherë lokacionet e protestave nëpër komunat e Kosovës: Prishtinë: Marshi KEK-Qeveri;  Prizren: Te Shadërvani; Pejë: Qendra e qytetit; Ferizaj: Sheshi i qytetit; Gjakovë: Marsh Parku i Qytetit – Kuvendi Komunal; dhe Mitrovicë: Sheshi Mehë Uka, para shtëpisë së mallrave.(LajmeShqip.com)