|
|
e Shtunë, 24 Mars 2012 12:30 Tiranë – Rritja e shpejtë e çmimit të naftës në nivel rekord, që në ditët e fundit po vrapon drejt 200 lekë/litri, pritet të ndikojë në prodhimin vendas në industri, bujqësi, shërbime dhe ekspertët, bashkë me përfaqësues të biznesit, evidentojnë masat përkatëse.
“Në fazën e parë do të ketë rënie të prodhimit nëse vijon rritja e çmimit të karburanteve pasi për çdo njësi industriale do ketë rritje të kostove bazë të prodhimit”, shprehet Gjergj Buxhuku, përfaqësues i Konfindustrias.
“Nga rritja e çmimit të naftës e pëson bujqësia intensive, që punon me mekanikë bujqësore, ku është rritur tarifa e punimit të tokës dhe nga transporti, sepse çdo prodhim duhet dërguar në tregje. Ndikon dhe në serat me ngrohje, pasi fermerët kanë investuar në to dhe ngrohja me karburant del jashtë loje me rritjen e çmimit”, arsyeton Ismail Beka, ekspert i GIZ-it për bujqësinë.
Përballë situatës, ekspertët propozojnë rrugëzgjidhje për të mbajtur nën kontroll kostot për ekonominë dhe konsumatorin. “Vendi duhet të ketë një Ent Rregullator të Karburanteve, që mat saktë lëvizjet e çmimeve dhe merr masa për përmirësimin e cilësisë”, shpjegon Buxhuku.
Ndërsa Beka arsyeton se “duhet menduar për energjitë alternative dhe duhet financuar për to. Kostoja që fiton shteti nëpërmjet taksave dhe tatimeve që merr nga importi i këtyre karburanteve do të duhet që të rikthehet në një mënyrë tjetër investuese”. Ekspertët llogarisin se një rritje e çmimit të naftës me 10% në tregun ndërkombëtar rrit koston e ekonomisë shqiptare me rreth 0.5%.
Edhe institucionet ndërkombëtare financiare vlerësojnë se në kushtet aktuale të krizës ndërkombëtare, rritja e çmimit të naftës rrezikon rëndë ringritjen ekonomike. Disa pika të tregtimit të karburanteve në Tiranë kanë rritur ditët e fundit çmimin e shitjes nga 190 në 194 lek/litër, ndërsa benzina nga 195 në 199 lek/litër, me një ndryshim prej 3-5 lekë më shumë.
Ulje-ngritjet e çmimit të karburanteve janë bërë të shpeshta dhe firmat importuese ia atribuojnë rritjes së taksave. Sot karburanti importohet me taksën e re të qarkullimit prej 7 lek/liter me rritjen e taksës fikse e qarkullimit për litër mbi naftën dhe benzinën nga 1 janar 2012, që bashkë me TVSH, arrin 8.4 lek/litër.
Rritja e çmimeve të karburanteve në vend ka ulur në fakt konsumin e tij. Tregtarët në pikat e shitjes së karburanteve në Tiranë pohojnë rënie të konsumit, ndërsa dhe importet e tyre janë ulur. Të dhënat nga Doganat tregojnë se në janar u importua 30% më pak se një vit më parë, ose rreth 9 mijë ton më pak.
Në 1 vit çmimi i naftës është rritur mesatarisht 30 lek/litër. Ndërsa në mars 2011 një litër naftë në pikat e tregtimit me pakicë kushtonte 160 lekë, sot ka arritur 194 lekë. Në rritjen e çmimit të karburanteve ndikon dhe rritja e dollarit amerikan ndaj monedhës vendase, lekut dhe sipas importuesve, nafta blihet me dollarë në bursa, ku jep ndikim kriza e Eurozonës, prodhimit më të pakët nga vendet e OPEC-ut dhe tensionet politike. (LajmeShqip.com)