Lajme Shqip Tuesday, 12 July 2011 15:59

Tiranë – Ministria e Financave tashmë ka përgatitur dhe publikuar formularin për deklarimin e të ardhurave personale. Ligji për deklarimin e të ardhurave personale pritet të zbatohet në janar të vitit të ardhshëm dhe pritet t’i shërbejë formalizimit të ekonomisë, por edhe ndërgjegjësimit qytetar.

Në formular, çdo qytetar do të plotësojë dy seksione. Në seksionin e parë do të plotësohen të gjitha të dhënat identifikuese për individin, si dhe ato plotësuese të tij, që do të jenë adresa dhe personat në kujdestari të këtij individi.

Ndërsa, në seksionin e dytë, çdo individ do të plotësojë të dhënat për llogaritjen e tatimit, si të ardhurat bruto, shpenzime të zbritshme, tatimi i llogaritur për t’u paguar, tatime të paguara gjatë periudhës tatimore, tatimi i paguar tepër nga viti i mëparshëm dhe i parimbursueshëm, tatimi i paguar tepër (për rimbursim) dhe tatimi i detyrueshëm për t’u paguar.

Çdo individ do ta plotësojë formularin me numrin serial, që përdoret nga Drejtoria Rajonale Tatimore, që shërben për të azhornuar regjistrimet kur paraqitet deklarata. Ndërsa, periudha Tatimore, është periudha që përfshin deklarimin nga data 1 Janar deri në 31 Dhjetor të vitit raportues. (LajmeShqip.com)