Lajme Shqip Friday, 10 June 2011 15:31

Prishtinë – Deputetë të Kuvendit të Kosovës e kanë vizituar sot kombinatin metalurgjik “Trepça”, gjigandin e dikurshëm të ekonomisë kosovare. Ata e panë nga afër vlerën që e harruan për 10 vjet.

Anëtarët e  Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion të Kuvendit të Kosovës, gjatë vizitës në kombinatin metalurgjik “Trepça”, gjigandin e dikurshëm të ekonomisë kosovare, siguruan stafin udhëheqës se do t’i mbështesin përpjekjet e tyre për zhvillimin e kombinatit.

Duke folur për gjendjen në të cilën aktualisht është kombinati, drejtori i saj Ferhat Shala,vuri në pah një varg pengesash dhe u bëri apel anëtarëve të Komisionit dhe Kuvendit të Kosovës që të ndërmarrin masa për kapërcimin e tyre. Ndër sfidat më të rënda me të cilat ballafaqohen, ai vuri në dukje se “kombinati ‘Trepça’ gjendet nën memorandumin ndërkombëtar me vendim të Gjykatës së Posaçme”.

Sipas këtij memorandumi, vijoi Shala, kombinati nuk mund të realizojë kontrata me as një palë tjetër, dhe e keqja më e madhe, tha ai, është se me këtë memorandum nuk është i definuar pronari i kombinatit.

Duke folur për gjendjen në miniera, Shala tha se ato janë të dëmtuara, me pajisje të korozuara dhe jashtë sistemit të prodhimit. Në gjendje jo të mirë, tha ai, është edhe industria përpunuese e metaleve. Për këto shkaqe këmbënguli Shala, Kuvendi i Kosovës duhet të miratojë sa më shpejtë Strategjinë minerare të Republikës së Kosovës,  të propozuar nga stafi menaxhues i kombinatit “Trepça”, e cila parasheh ristrukturimin e “Trepçës” dhe përgatitjen e tij për tërheqje të investitorëve. Lidhur me infrastrukturën ligjore, drejtori i kombinatit pati vërejtje edhe për disa ligje tashmë të miratuara në Kuvend, pasi, sipas tij, Ligji i punës lë të parregulluara shumë fusha që kanë të bëjnë me të drejtat e minatorëve.

Në ekspozenë e tij Shala foli edhe për arritjet e viteve të fundit në kombinatin “Trepça”, ku për herë të parë u shënua një trend pozitiv i zhvillimit.

Anëtarët e Komisionit vizituan Fabrikën e Akumulatorëve, Repartin e Baterive Industriale, minierën e “Stari Tërgut”, Muzeun e Mineraleve të “Trepçës”, Sistemin e Hidrombushjes etj.