Lajme Shqip e Diel, 01 Korrik 2012 18:20

Tiranë – Konfindustria, duke e mbështetur parimisht nismën për organizimin e Lotarisë Kombëtare dhe duke parë veçoritë e saj në këndvështrimin e nevojave publike dhe moralit si aktivitet, i kërkon Qeverisë Shqiptare që të ndalojë vazhdimin e proçedurale tenderuese dhe të marrë përsipër në mënyrë të drejtpërdrejtë administrimin e saj.

Sipas saj, në mënyrë dërrmuese të gjithë shembujt që vijnë nga vendet më të zhvilluara të botës, tregojnë se në rastin e aktiviteteve të ngjashme janë drejtpërdrejt institucionet publike që kryejnë administrimin.

Konfindustria, nëpërmjet një njoftimi për shtyp, vlerëson se “Lotaria Kombëtare për vetë natyrën dhe qëllimin e saj, nuk duhet lejuar të kthehet në një biznes të mirëfilltë, por duhet përdorur si një mjet për të zbutur sadopak nevojat e shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiptare të prekur ndjeshëm nga kriza ekonomike. Pikërisht administrimi i drejtpërdrejt nga ana e shtetit i Lotarisë Kombëtare është mënyra e vetme për të arritur qëllimin e mësipërm dhe per moskthimin e saj në një biznes të mirëfilltë”.

Konfindustria vlerëson se “është e papranueshme, që të ardhurat e siguruara nga biznesi i lojrave të fatit në emër të shtetit sikurse Lotaria Kombëtare, që nuk sjell asnjë zhvillim ekonomik për vendin dhe nuk prodhon as të mira materiale dhe as shërbime të mirëfillta për qytetarët, por thjesht  sigurojnë fitime në thelb spekulative, të lejohen të dalin jashtë arkës publike, qoftë edhe pjesërisht. Aq më shumë është e papranueshme nëse këto të ardhura do të dalin jashtë vendit sikurse do të ndodhi nëse operatori, që do të menaxhoje Lotarine Kombëtare do të jetë i huaj”.

Konfindustria gjykon se “në kushtet e ndikimit të pasojave të krizës së zgjatur gobale, kur biznesi dhe ekonomia shqiptare të paktën në periudhën afatmesme do të kenë nevojë më shumë se asnjëherë për likuiditet si edhe duke patur parasysh se shtresa të gjera shoqërore të prekur nga kriza ndjejnë domosdoshmërinë e mbështetjes shtetërore, paratë e shqiptarëve në asnjë mënyrë nuk duhet të dalin në mënyrë të paarsyeshme jashtë vendit”. (LajmeShqip.com)