Lajme Shqip Friday, 12 August 2011 15:14

Tiranë – Konsumatorët nuk përfitojnë njësoj në të gjitha bashkitë nga falja e faturave të ujit të pijshëm. Në ato njësi të pushtetit vendor ku ndërmarrjet e ujësjellësave nuk janë marrë në administrim nga komunat apo bashkitë, faturat e pa paguara të ujit do të falen deri në vitin 2007.

Edhe pse ligji i faljes parashikon amnisti për këto fatura deri në vitin 2010, një pjesë e konsumatorëve do ta kenë këtë falje jo të plotë. Ndërkohë në Tiranë në disa zona janë vendosur matësat e ujit, në disa të tjera aplikohet tarifa 220 lekë për frymë në muaj dhe në disa të tjera vendoset çmimi aforfe.

Në Ligjin e Faljes është përcaktuar që amnistia të aplikohet  në të gjithë ujësjellësat, të cilët në vitin 2007 kaluan në varësi të pushtetit lokal.  Në vitin 2008 të gjithë ujësjellësat e vendit kaluan në varësi të pushtetit lokal, por Bashkia e Tiranës nuk pranoi ta merrte këtë ndërmarrje në varësi.

Specialistët shprehen se kush i paguan faturat nga Janari 2011 e deri tani, nuk është i penguar të hapi një librezë të re, pamvarësisht nga faturat e papaguara. Ky problem nuk është vetëm në Tiranë, por dhe në Durrës, Korçë dhe Gjirokastër, ku ndërmarrjet e Ujësjellës-Kanalizimeve nuk janë marrë në dorëzim nga Bashkitë. (LajmeShqip.com)