Lajme Shqip Friday, 10 June 2011 14:46

Tiranë – Liberalizimi i vizave ka sjellë rritje të përdorimit të kartave bankare. Almida Asllani, drejtore e Departamentit të kartave në Credins Bank, thotë se megjithatë kartat e kreditit ngelen një sfidë për sistemin bankar.

“Me liberalizimin e vizave, kemi vënë re një rritje të interesit për kartat e kreditit dhe rritje të përdorimit të tyre. Në veçanti, është rritur shumë përdorimi i kartave për prenotime në internet, sidmos prenotime hotelesh dhe biletash. Megjithatë, ne besojmë se tregu i kartave ka ende hapësira dhe potenciale shumë të mëdha rritjeje”, ka thënë Asllani.

Sipas saj, është e rëndësishme që njerëzit të kuptojnë se kartat e kreditit nuk janë domosdoshmërisht një produkt elitar, por një mjet komod pagesash edhe për ata klientë që nuk kanë të ardhura shumë të larta.

Statistikat nga Shoqata e Bankave tregojnë se në mars të këtij viti numri i kartave të kreditit të lëshuara nga sistemi bankar shqiptar ishte 28,635, me një rritje prej 4.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.