Lajme Shqip e Enjëte, 15 Dhjetor 2011 16:54

Tiranë – Kuvendi pas shumë debatesh miratoi me 72 vota pro dhe 62 kundër, p/ligjin “Për përcaktimin e formës dhe strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë ‘Albpetrol’ sh.a. Patos”.

Diskutimi i zgjatur për rreth katër orë i këtij pr/ligji u shoqërua me debate të ashpra mes maxhorancës dhe opozitës, pasi kjo e fundit e cilësoi procesin “jotransparent dhe korruptiv”.

Në emër të grupit parlamentar të PS-së, deputeti Erion Braçe e cilësoi si “antikombëtare dhe të palejueshme” dhënien e së drejtës së shfrytëzimit të vendburimeve të naftës në Shqipëri, të huajve.

“Me këtë ligj jo vetëm po privatizohet kompania “Albpetrol”, por bashkë me të, po shiten dhe të drejtat dhe licencat që kjo kompani zotëron sot për shfrytëzimin e burimeve të naftës në vend “, u shpreh Braçe.

Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, duke analizuar situatën aktuale të kompanisë, kërkoi votën pro në favor të privatizimit të saj, e cila, sipas tij, “po i nënshtrohet një procesi transparent”.

Ai tha se në bazë të programit të Qeverisë për privatizimin e pronës publike dhe sidomos për sektorët strategjikë është marrë vendimi që shoqëria anonime “Albpetrol”, ku shteti shqiptar është 100% aksionar, të kalojë në procedurat e privatizimit.

Sipas Naços, privatizimi i Albpetrol do t’i jepte zgjidhje problemeve ekonomike, financiare dhe ligjore që ka sot kjo kompani, duke përcaktuar termat e referencës dhe dokumentet për shpalljen e tenderit ndërkombëtar për shitjen e aksioneve të kompanisë.