Lajme Shqip Wednesday, 01 June 2011 10:45

Kukës – Numri i personave të punësuar nga Kukësi dhe Hasi në tregun sezonal të punës në Kosovë, po shënon tendencë në rritje, veçanërisht në këtë periudhë, kur rriten kërkesat për punëtorë sezonalë në ndërtim e bujqësi.

Punësimi sezonal pranohet nga dy palët, pasi punëdhënësit marrin punëtorë me pagë të ulët. Karakteristik mbetet fakti se të gjithë të punësuarit shqiptarë, në tregun e punës në Kosovë, punojnë në të zezë dhe me pagë më të ulët se vendasit.

Për këtë arsye edhe janë më të kërkuar nga pronarët në Kosovë në ndërtim, punimin e tokës bujqësore, apo në prashitje të të mbjellave.

“Shkojmë në Kosovë për të gjetur një punë dhe herë gjejmë, herë jo. Kush na afron, punojmë dhe paguhemi për çdo ditë deri në 15 euro”, tregon Sulejman Zeneli nga fshati Dobrunë i rrethit të Hasit.

Në tregun e Prizrenit në Kosovë prej gati 20 vitesh, çdo ditë tregtojnë mallrat e tyre rreth 20 tregtarë të vegjël nga qyteti i Kukësit, një marrëdhënie kjo mes qyteteve afër njëri – tjetrit.

“Nuk kemi ku të shkojmë tjetër për të punuar, pasi tregtia nuk ka më leverdi, çmimet po barazohen edhe këtej e andej kufirit, nuk është si dikur”, thotë Kujtim Selmani, një prej tregtarëve nga Kukësi, që ka blerë në Prizren edhe një magazinë të vogël, ku mban jo vetëm mallin e tij, por edhe të tregtarëve të tjerë nga Kukësi, kundrejt pagesës.

“Kësisoj siguroj të ardhurat për familjen, pasi çmimet edhe në Kosovë janë duke u rritur vazhdimisht dhe kjo ka sjellë problem dhe largim të klientelës”, thotë ai.

Ndonëse nuk ka shifër të saktë për numrin e të punësuarve sezonalë nga Shqipëria në Kosovë, apo dhe bizneseve private, përllogaritet se të punësuarit arrijnë deri në 250 persona, ndërsa tendenca flet për rritje të interesit për punë jashtë vendit.