Lajme Shqip Saturday, 21 May 2011 08:40

Kukës – “Arritjet dhe problemet e bujqësisë në qarkun e Kukësit”, ishte në qëndër të konferencës të organizuar dje mbasdite në një nga sallat e pallatit të kulturës “Hasan Prishtina” të qytetit të Kukësit, në të cilën mernin pjesë drejtues e specialistë të Ministrisë së Bujqësisë, përfaqësues nga qarqet e Tiranës, Durrësit, Gjirokastrës etj, specialistë të drejtorive të bujqësisë të rretheve të Kukësit, Hasit e Tropojës, etj.

Drejtori i drejtorisë rajonale të bujqësisë, Arif Rexhmati, tha se në këtë qark për 70 për qind të popullsisë burimi kryesor i të ardhurave është bujqësia dhe blegtoria, gjë që ka sjellë edhe rritjen e sipërfaqes së mbjellë me kultura bujqësore. Ai bëri të ditur se në shkallë qarku janë të mbjella mbi 12 600 ha tokë bujqësore, vreshtat zënë një sipërfaqe prej 89 ha, pemëtoret 2708 ha dhe arroret 224 ha gjithsej.

“Strukturën e mbjelljeve të tokës bujqësore e zënë drithrat e bukës me 5064 ha, patatja me 556 ha, perimet me 635 ha etj”, theksoi Rexhmati.

Ai vuri në dukje edhe zhvillimin e blegtorisë. “Numri i krerëve ka ardhur në rritje. Kështu, në shkallë qarku mbarështohen 43 mijë krerë gjedhë, 68 500 krerë të leshta dhe 24 200 të dhirta”, tha Rexhmati. Ai përmendi shtimin me ritme të shpejta të shpendëve, numri i të cilave ka arritur në 139 mijë, i bletëve me 15 312 koshere, etj. “Numri në rritje i krerëve ka sjellë edhe rritjen e numrit të fermave blegtorale, që ka arritur në 16 550, prej të cilave 11 300 ferma me lopë dhe 5 250 ferma blegtorale për të imta”, tha Rexhmati.

Ndërkohë, po bëhen përpjekje për shtimin e subjekteve prodhuese nga agroindustria. “Aktualisht në shkallë qarku funksionojnë 33 subjekte prodhuese e numri i tyre ka një tendencë të dukshme rritjeje”, theksoi Rexhmati.

Sekretari i përgjithshëm i ministrisë së Bujqësisë, Albert Kushti, theksoi se politikat e qeverisë janë orientuar gjithnjë në profilizimin e fermave dhe specializimit të bujqësisë. Ai bëri të ditur se vitet e fundit është rritur sipërfaqja me drithra buke dhe sipërfaqja e mbjellë me perime, frutikulturë dhe vreshta, sepse ata janë sektorët që lidhen më shumë me tregun dhe gjenerojnë të ardhura për fermerët. Ai përmendi prioritetin që i dha qeveria mbjelljes së arroreve për vitin 2011, punë e cila u vlerësua edhe në qarkun e Kukësit, duke mbjellë 214 ha. Kushti theksoi se ndonëse Qarku i Kukësit ka mundësi të kufizuara për zhvillimin e bujqësisë përsëri ajo mbetet prioritet kryesor zhvillimi.

Ndihma e qeverisë për ndryshimin e gjendjes ka qenë e vazhdueshme. “Për vitin 2010 direkt në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë dhe indirekt në sektorët e tjerë që lidhen më të janë financuar nga buxheti i shtetit për Qarkun e Kukësit 34,4 milion lekë, kurse për vitin 2011 sipërfaqja e mbjellë me arrore pritet që të financohet nga buxheti i shtetit”, theksoi Kushti.

Kryetari i komisionit të politikave prodhuese në parlamentin shqiptar, Jemin Gjana, theksoi se bujqësia është një nga sektorët më të rëndësishëm ekonomikë të vendit, ku edhe ndihma e qeverisë është e madhe. Ai përmendi edhe politikat nxitëse e zhvillimore të qeverisë, një proces që do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Nesër në sheshin e qytetit të Kukësit do të organizohet panairi “Agrobiznesi Kukësi 20011″, ku do të marrin pjesë fermerë nga të 3 rrethet e qarkut të Kukësit.