|
|
e Diel, 08 Janar 2012 19:35 Stokholm-Shtimi i problemeve të bankave europiano-perëndimore në planin vendor gjithnjë e më tepër godet veprimtarinë e tyre në vendet lindore të Evropës. Vatra e ardhshme e krizës do të mund të jetë Evropa Lindore, ku vendet si Hungaria, Kroacia, Sllovakia dhe Rumania janë tërësisht të varura nga bankat në eurozonë.
Erik Berglof, ekonomisti kryesor i Bankës evropiane për riprëtëritje dhe zhvillim (BERZH) thekson se në Kroaci dhe në Bosnje e Hercegovinë, për shembull, pothuajse 90 për qind e bankave janë me kapital të huaj, ndërsa në Maqedoni pjesa nga sektori bankar, i cili është në pronësi të vendeve të eurozonës është diçka më e vogël se 60 për qind.
“Varësia nga bankat perëndimore është tashmë problem. Ekonomitë lindore-evropiane realizonin fitim të madh nga bankat para krizës, por tani gjendja është tërësisht tjetër”, tha Berglof për “Svenska dagbladet” gjatë vizitës së tij në Stokholm.
Ai tregon për statistikën e gjigantëve bankar “BNP Paribas”, “Unikredit”, “Rajfajzen” dhe “Sosiete Zheneral”. Kolonat në diagramet të cilat tregojnë se sa borxhe këto banka duhet të rifinancojnë, prekin shumë lart. Bëhet fjalë për mijëra miliarda euro për secilën nga bankat. Nëse mbi këtë shtohen edhe kërkesat e reja më të larta për kapital të freskët, gjendja duket akoma më keq, vlerëson eksperti ekonomik.
“Bankat mezi mund të fusin kapital në treg, kjo sot është tejet shtrenjtë. Do të thotë, duhet të shkurtojnë nga gjithçka që nuk është veprimtaria e tyre qendrore, e në ato korniza nuk takon Evropa Lindore”, sqaron Erik Berglof.
Ai thekson se, për shembull, është vështirë të motivohet një bankë franceze ta avancojë veprimtarinë e vet në Ukrainë, kur në të njëjtën kohë shënon humbje në planin vendor.
Si pasojë e asaj ndodh mbyllja e lëfyteve për derdhje të kredive në një filialë, e cila në veprimtarinë e përgjithshme të bankës është e përfaqësuar vetëm me disa për qind, por e cila në të njëjtën kohë është sistematikisht e rëndësishme në vendin në të cilin vepron, vlerëson Erik Berglof, duke shprehur shqetësim të thellë rreth ardhmërisë në një sërë vendesh ish-komuniste.
Tashmë është pothuajse e pamundur për kompanitë në shumë vende të marrin kredi tek bankat, e që i rrit rreziqet për ulje drastike të ekonomive dhe rritje të papunësisë për shkak të stagnimit të investimeve.
Berglof, përveç kësaj, paralajmëron edhe për një skenar të tillë i cili po zhvillohet në atë mënyrë që qytetarët e humbin besimin në banka dhe fillojnë t’i nxjerrin paratë e tyre dhe kursimet. Zhvillimin e tillë bankat do të përpiqen ta parandalojnë për shkak të rrezikut që kjo të jetë fillim i një spiraleje negative e cila do ta minojë tërë sistemin bankar.
Më ekstreme është gjendja ndërmjet bankave greke. Rreth pesëmbëdhjetë banka greke janë sistematikisht të rëndësishme në vendet e Evropës Juglindore, si Bullgari, Serbi dhe Maqedoni, ku bankat greke janë të pranishme dhe me mbi një të katërtën nga i tërë sektori bankar.
“Duke i pasur parasysh problemet me të cilat është e përballur Greqia, ndoshta nuk është aq çudi nëse bankat greke dëshirojnë t’i tërheqin mjetet e veta në vendin e tyre, por kjo do të shkaktonte probleme të mëdha tek fqinjët e Greqisë”, paralajmëron Erik Berglof në intervistën për gazetën suedeze “Svenska dagbladet”. (LajmeShqip.com)