Lajme Shqip Thursday, 09 June 2011 13:15

Prishtinë – Rreth 100 kompani, mes të cilave edhe nga Shqipëria, po marrin pjesë në panairin e përgjithshëm ndërkombëtar “Prishtina 2011″, i cili është organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe do të qëndrojë i hapur nga datat 8-11 Qershor.

“Republika e Kosovës ka nevojë të madhe për investime në të gjithë sektorët ekonomik, sidomos në prodhimtari”, tha dje, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në hapjen e panairit, për të cilin tha se “konsiderohet si një komponent kyç për promivimin e bashkëpunimit ndërkombëtar afarist”.

Kryeministri kujtoi se qeveria e Kosovës me miratimin e strategjisë së zhvillimit ekonomik (2011-2014) është zotuar se do të fokusohet në zhvillimin e sektorit privat, si motor të zhvillimit ekonomik.

“Në këtë drejtim, ne kemi filluar zbatimin e reformës së të bërit biznes, qëllim i së cilës është përmirësimi i mjedisit afarist, kryesisht përmes lehtësimit të klimës së biznesit”, tha ai.

Republika e Kosovës, tha Thaçi, realisht ka filluar zhvillimin ekonomik sipas standardeve evropiane dhe është në rrugë të mbarë.

“Përmirësimet në këtë aspekt i kemi filluar. Tanimë, jemi dëshmitarë të punës intensive për realizimin e autostradës Morinë-Prishtinë-Merdar”, tha kryeministri kosovar.

Ai shtoi se “në këtë kryevepër infrastrukturore janë duke punuar rreth 2000 punëtorë kosovarë, rreth 40 kompani vendore dhe janë nënshkruar rreth 100 kontrata me konsorciumin Bechtel-Enka”.

Kryeministri Thaçi foli edhe për projektet e tjera, si autostrada në drejtim të Shkupit, e cila do të fillojë së shpejti, duke theksuar se “të gjitha këto projekte kanë për qëllim uljen e kostos për biznes dhe lidhjen e Kosovës me rajonin dhe botën”.