Lajme Shqip Thursday, 09 June 2011 17:41

Prishtinë – Ministria e Financave ka dhënë sqarime lidhur me shfrytëzimin e Fondit për financimin e subjekteve politike. 

Ministria sqaron se nuk ka bërë ndryshimin e Ligjit të Buxhetit për vitin fiskal 2011 dhe se çfarëdo ndryshimi i këtij ligji mund të bëhet vetëm me rastin e shqyrtimeve të rregullta dhe me aprovimin e Kuvendit të Kosovës, andaj deklaratat për ndryshimet e mundshme të këtij ligji për të përcaktuar një fond tjetër për financim të subjekteve politike nga ai që parasheh Ligji për Buxhet janë të pabaza. 

Ligji Nr. 04/L-001 për Buxhetin e Republikës së Kosovës, i publikuar edhe në ueb faqen e Ministrisë, parasheh që shpenzimet e planifikuara për Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) për vitin fiskal 2011 për financim të partive politike të jenë në shumë prej 4, 868, 981 euro (Tabela 3.1 e Ligjit), thuhet në sqarim. 

Ministria e Financave thotë derisa të mos ketë modifikime në ligjin që rregullon çështjen e financimit të subjekteve politike nga Kuvendi i Kosovës, obligimet e KQZ-së përkitazi me këtë çështje do të vazhdojnë të përcaktohen në bazë të Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike, të aprovuar më 6 qershor 2010. i cili kufizon fondin e ndarë për financim të partive politike në 0.17 % të shpenzimeve të përgjithshme buxhetore, andaj rekomandimi që Ministria e Financave i ka bërë KQZ-së me kërkesë të këtij organi të pavarur në lidhje me veprimet për ndarjen e fondit të partive politike është që ta zbatoj ligjin e lartshënuar. 

Ndryshimi i Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike, Ligjit të Buxhetit apo legjislacionit tjetër është kompetencë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ndërkaq Ministria e Financave, sikurse edhe çdo ministri tjetër, është e obliguar që të zbatojë ligjet e aprovuara nga legjislacioni i vendit, përfundon sqarimi.