Lajme Shqip Thursday, 09 June 2011 09:43

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti dje në takim, guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Gani Gërguri.

Presidentja Jahjaga tha në takim se Banka Qendrore ka luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e një sistemi bankar të qëndrueshëm në Kosovë, ndërsa theksoi faktin që bankat komerciale në Kosovë e përballuan pa pasoja të mëdha krizën financiare, e cila shkaktoi falimentimin e shumë bizneseve në tërë botën.

Ajo shtoi se roli i BQK-së do të vazhdojë të jetë kyç në mirëmbajtjen e stabilitetit financiar të Kosovës.

“Në këtë kuadër, është i rëndësishëm ndërtimi i kapaciteteve të nevojshme në BQK, për t’i ofruar ndihmën e nevojshme sistemit bankar”, tha Jahjaga.

Presidentja Jahjaga shprehu mbështetjen për forcimin dhe kompletimin e mëtejshëm të kornizës legjislative dhe institucionale që ndërlidhet me sistemin bankar dhe veçanërisht me Bankën Qendrore.

Njëkohësisht, ajo i bëri thirrje Bankës Qendrore dhe përmes saj edhe bankave komerciale në Kosovë, që të punojnë në drejtim të përmirësimit të kushteve për përkrahjen edhe më të madhe të bizneseve në Kosovë.

“Forcimi dhe rritja e bizneseve private është parakusht për zhvillimin ekonomik në Kosovë dhe për konsolidimin e mëtejshëm të sistemit bankar”, tha ajo.

Nga ana e tij, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Gërguri informoi mbi punën e institucionit që ai drejton dhe siguroi për forcimin e mëtejshëm të pavarësisë dhe të profesionalizmit të BQK-së, në shërbim të një sistemi të qëndrueshëm bankar.