Lajme Shqip Monday, 20 June 2011 11:36

Prishtinë – Inspektorati i punës, po hasë në vështirësi gjatë ekzekutimit të gjobave ndaj shkelësve të ligjit të punës dhe atij për sigurinë në punë. Vitin e kaluar, nga 120 gjoba të shqiptuara, janë ekzekutuar vetëm gjysma e tyre. Disa punëdhënës në Kosovë, jo vetëm që shkelin ligjet që sanksionojnë të drejtat dhe sigurinë e punëtorëve, por edhe refuzojnë të paguajnë gjobat e shqiptuara nga Inspektorati i punës. Kryeinspektori i Inspektoratit të punës, Basri Ibrahimi, thotë se nëse gjobat nuk paguhen në mënyrë vullnetare, atëherë Inspektorati i drejtohet Gjykatës Komunale për ekzekutim të vendimit. Por, ai ka vërejtje në punën e gjykatave.

“Në përgjithësi gjobat nuk janë duke u ekzekutuar nga gjykatat. Ne të gjitha gjykatave ua kemi drejtuar nga një shkresë, së bashku me lëndët që nuk janë zgjidhur, që të kenë mirëkuptim për ekzekutimin e atyre lëndëve, por deri tani nuk kemi pasur mirëkuptim”, tha Ibrahimi.

Ibrahimi thotë se nga 120 gjoba sa janë shqiptuar vitin e kaluar, vetëm gjysma e tyre janë paguar. Madje ai thekson se nëse nuk bëhet ekzekutimi i të gjitha gjobave, atëherë punëdhënësit mund të ndjehen të paprekshëm nga shteti dhe të vazhdojnë të bëjnë shkelje tjera.

Edhe pjesëtarët e shoqërisë civile kanë vënë në pah rolin e gjykatave komunale në zgjidhjen e kontesteve të punës. Jeton Mehmeti, analist politikash në institutin “GAP”, thotë se gjykatat duhet të trajtojnë me prioritet lëndët e adresuara nga inspektorati.

Ndryshe, inspektorati sivjet ende nuk ka drejtuar ende asnjë lëndë tek gjykatat komunale për ekzekutim të vendimeve për gjoba.