Lajme Shqip Tuesday, 14 June 2011 14:58

Prishtinë – Është bërë më shumë se një vit prej kur ka nisur instalimi i arkave fiskale, por ende të gjitha bizneset nuk janë pajisur, sidomos ato nëpër enklava dhe në pjesën veriore.

Drejtuesit e Ministrisë së Financave në Kosovë thonë se ka rezultate në këtë proces, por përfaqësuesit e bizneseve ankohen se nga kjo nismë janë dëmtuar bizneset e ligjshme. 

Qeveria e Kosovës, në emër të luftës kundër ekonomisë joformale, i ka detyruar bizneset vendore që të blejnë me mjetet e tyre dhe të pajisen me arkat fiskale, mirëpo këtë vendim nuk ka mundur ta zbatoj edhe në bizneset që funksionojnë nëpër enklava dhe pjesën veriore të vendit. 

Për këtë gjendje të pabarazisë dhe obligimit që vetëm disa ndërmarrje të respektojnë vendimet qeveritare, ankohen përfaqësuesit e bizneseve vendore. Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini vlerëson se deri më tani institucionet nuk kanë bërë sa duhet që bizneset të jenë të barabarta.