Lajme Shqip Monday, 13 June 2011 12:52

Prishtinë – Qeveria e Kosovës ende nuk jep informata se kur do të marrë vendim për zbatimin e taksës doganore prej 10 për qind ndaj importeve të Serbisë dhe Bosnjës. Një gjë e tillë është paralajmëruar të ndodhë gjatë kësaj jave.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila, e ka paralajmëruar mesin e këtij muaji, që i bie gjatë kësaj jave, si afat kur do të fillojë të zbatohet masa doganore ndaj dy vendeve, që i kanë bllokuar prodhimet kosovare. Por ende nuk dihet zyrtarisht nëse është marrë vendimi përkatës. Zyrtarët e kësaj ministrie, sot nuk u shprehën të gatshëm të japin informata rreth kësaj çështje.

Nga ana tjetër, zyrtarët e Doganës së Kosovës thonë se dogana është organ ekzekutiv që zbaton të gjitha ligjet në fuqi dhe çdo vendim të qeverisë lidhur me politikat e ndryshme fiskale.

“Normal dogana i ka këto kapacitete dhe këto resurse për ta zbatuar dhe në rast se ndryshohet diçka lidhur me importet nga Bosnja dhe Serbia. Edhe në të kaluarën kemi pasur masa të ndryshme doganore ose politika të ndryshme që kanë ndryshuar dhe secili ndryshim është pasqyruar pozitivisht tek ne. Do të jetë një vendim i qeverisë dhe në momentin që merret, ne brenda 15 minutave maksimum, mund ta aplikojmë atë”, ka thënë zëdhënësi i doganës, Adriatik Stavileci.

Dy vendet, Serbia dhe Bosnja, që nga viti 2008, kanë bllokuar të gjitha mallrat që mbajnë vulat e Republikës së Kosovës. Fillimisht ministrja Kusari-Lila kishte paralajmëruar masa reciproke ndaj tyre, por më pas kishte thënë se do të zbatojë taksë doganore prej 10 për qind. Prodhimet e Kosovës janë duke u bllokuar nga Serbia përderisa importet nga Serbia në vendin tonë janë rritur rreth 25 për qind në tre vjetët e fundit.