|
|
e Martë, 10 Korrik 2012 16:44 Prishtinë – Kosova renditet ndër vendet e para në rajon për prodhimin e grurit, u tha sot në çeljen e fushatës së korrje-shirjeve, ku mori pjesë edhe kryeministri Hashim Thaçi.
“Edhe sivjet kemi një rekord në rendimentet e grurit dhe i uroj të gjithë qytetarët dhe bujqëve kosovarë për këtë sukses. Kosova po shndërrohet me të vërtetë në një hambar të fuqishëm”, theksoi ai.
Ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci tha se “sivjet janë rritur sipërfaqet e mbjella me grurë me rreth 6 mijë hektarë më tepër, ndërsa kemi rreth 9 mijë fermerë që e mbjellin këtë kulturë”.
Sivjet fushata e korrje-shirjeve, si rezultat i kushteve të favorshme klimatike ka filluar më herët se vitin e kaluar dhe deri tani, sipas të dhënave të komisioneve komunale janë korrur rreth 30 për qind e sipërfaqeve të mbjella me grurë.
Në fshatin Suhadoll të Lipjanit, fermeri Valon Vehapi tregoi se ka mbjellë 70 hektarë me grurë dhe se rendimentet mesatare janë prej 5500-6000 kilogramë për hektar.
Në Kosovë, rendimentet mesatare në nivel vendi, sipas përllogaritjeve fillestare, janë në rreth 4 mijë kg për hektar. Ndërsa, sipas raporteve të drejtorive komunale, sipërfaqe të mbjella me grurë gjatë këtij viti janë gjithsej 83.875 hektarë. Mbjelljet vjeshtore të grurit janë përkrahur me mbi 3.6 milionë euro nga Ministria e Bujqësisë, kurse fushata e korrje-shirjeve është duke u mbështetur me 500 mijë euro. (LajmeShqip.com)