Lajme Shqip Sunday, 12 June 2011 11:57

Tiranë – Konfindustria ka kërkuar nga institucionet doganore të Shqipërisë dhe Kosovës që të ndikojnë në përmirësimin sa më shpejt të punës në pikat doganore që lidhin dy vendet, ku kohët e fundit janë vërejtur vonesa të vazhdueshme ndaj bizneseve, kryesisht në pikën doganore të Morinit në Kukës.

Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Administratori i Përgjithshëm i Konfindustrisë Gjergj Buxhuku shprehet se vonesat në kufirin e përbashkët Shqipëri-Kosovë i japin goditje të rënda, afatgjaë dhe të njëkohshme ekonomive të dy vendeve.

“Rritja e kostove të shpërndarjes dhe transportit ul ndjeshëm fuqinë konkurenciale të prodhimeve dhe shërbimeve të Shqipërisë dhe Kosovës, duke i dhënë përparësi vendeve të treta konkurente në rajon dhe më gjerë”, thuhet në një deklaratë për mediat.

Konfindustria vë në dukje se “rritja e paarsyeshme e kostove të transportit, si pasojë e vonesave doganore vetëm për shkaqe lehtësisht të parashikueshme dhe të zgjidhshme, është goditje e pastër që i jepet krijmit të Tregut të Përbashkët shqiptar prej 7 milion konsumatorësh si qëllimi strategjik dhe mundësia më e mirë për zhvillim ekonomik të shpejtë dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës”.

Konfindustria e cilëson të papranueshëm faktin që koha e përgjithshme e transportit të mbetet pothuaj e njëjtë si përpara ndërtimit të Rrugës së Kombit vetëm për shkaqe njerëzore lehtësisht të tejkalueshme.

“Rritja e kostove të transportit, për shkaqe subjective, ul ndjeshëm efektivitetin e investimit të madh financiar të ndërtimit të Rrugës së Kombit të kryer nga shqiptarët, shtyn në kohë afatin financiar të rikthimit të vlerës financiare dhe njëkohësisht ul ndjeshëm interesin e biznesit rajonal të Europës Juglindore për shfrytëzimin e porteve të Durrësit, Vlorës, Shëngjinit, etj., në favor të vendeve të tjera të rajonit si Selanikut, Pireut, Tivarit, etj, me pasoja financiare prej dhjetra milion euro në vit, në dëm të ekonomisë kombëtare”, përfundon deklarata për shtyp e Konfindustrisë.