|
|
e Mërkurë, 13 Qershor 2012 20:20 Tiranë – Konfindustria shqiptare i bën apel bankave tregtare në vend që të rrisin kreditimin për sektorin e ndërtimit.
Ing. Hajredin Fratari, president i Konfindustrisë Shqiptare njëherazi dhe përfaqësues i kompanisë së ndërtimit “Fratari Constructions”, shprehet për portalin LajmeShqip.com, se pavarësisht statistikave pozitive që vijnë nga tregu imobiliar, mbetet shqetësim stanjacioni ku ka mbetur sektori i ndërtimit.
Sipas tij, edhe pse çmimet e apartamenteve kanë rënë në masën 20% në varësi të zonave në kryeqytet, këtë 5 mujor të vitit 2012, kërkesa për blerje është thuajse inekzistente dhe nuk shohim ndonjë dritë jeshile për përmirësimin e situatës. Sipas tij, “janë bankat ato që duhet të tregohen më të gatshme për dhënien e kredive për apartamente”. Në kushtet e krizës ekonomike “është e domosdoshme që bankat të çlirojnë kushtet e kreditimit, në të kundërt kjo gjendje do të zgjasë, duke ndikuar në tërë ekonominë e vendit”, vazhdon Fratari.
Duke i’u referuar të dhënave zyrtare pas nisjes së krizës, struktura e tregut të ndërtimit ka ndryshuar dhe emigrantët nuk janë më burim fitimi për këtë sektor. “Si rrjedhojë, periudhat janar dhe gusht nuk shënojnë më boom në sektorin e ndërtimit”, shprehet Fratari. Përballë kësaj situate, ndërtuesit i kërkojnë Bankës së Shqipërisë dhe qeverisë të ndikojnë për të çliruar kreditimin. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë për një ulje të nivelit të kredive për shtëpi. Në tremujorin e parë të këtij viti miratimi i kredive të qytetarëve për të blerë shtëpi ka rënë në 21.4% .
Nga ana e saj, Banka e Shqipërisë, lidhur me këtë çështje gjykon se, një arsye tjetër e ngadalësimit të kreditimit në përgjithësi gjatë vitit të kaluar, qëndron edhe në adoptimin e një qëndrimi më të kujdesshëm nga bankat, në kushtet e rritjes së rrezikut të kësaj veprimtarie, si rezultat i rritjes së vështirësive në sektorin real të ekonomisë. 
Konkretisht, raporti i kredive me probleme u ngjit në fund të vitit në nivelin 18.5 për qind. Rritja e tij ka vijuar edhe në muajt e parë të këtij viti, ndonëse me një ritëm më të ulët. Si rezultat i rënies së cilësisë së kredisë, për të gjithë sektorin bankar janë dyfishuar fondet përkatëse rezervë, duke ndikuar negativisht në rezultatin financiar të sektorit bankar. Në këto kushte, Banka e Shqipërisë, gjykon se biznesi duhet të konkurojë me projekte cilësore, për thithjen e kreditimit, ndërkohë që sistemi bankar është likuid dhe i mirëkapitalizuar për kreditimin e biznesit. (LajmeShqip.com)