|
|
e Martë, 21 Shkurt 2012 11:05 Tiranë – Në ditët e ftohta KESH-i importoi 5 milionë kwh/ditë energji më shumë se në të njëjtën periudhë të 2011-tës për të përballuar nivelin e lartë të konsumit të energjisë elektrike, që në total arriti në 26 milionë kWh/ditë, prej të cilës, 15 milionë kWh ishte prodhim vendas.
Dëbora dhe ngricat e javëve të fundit në veri kanë rënduar situatën në nivelin e liqeneve të HEC-eve në kaskadën e lumit Drin, por pavarësisht problemeve energjetike me të cilat përballet dhe rajoni, KESH siguron se do të ruajë importin e energjisë për të ruajtur rezervën hidrike në kaskadën e lumit Drin dhe garanton furnizimin me energji.
Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Engjëll Zeqo, u shpreh se “importi do të vazhdojë edhe në muajin mars, pasi në kushtet e sotme ka mungesë në rezerva dhe nivelin e ujit në Fierzë”.
Së fundi KESH ka marrë fondin e kontigjencës me vlerë 2 miliardë lekë nga qeveria për importin e energjisë. Këto ditë pritet që “CEZ shpërndarje”, sipas një marrëveshje me KESH-in, t’i kthejë një pjesë të borxhit prej 50 milionë euro.
Burime zyrtare të KESH-it thonë se shlyerja nga CEZ e një pjese të borxhit prej 4 miliardë lekë, bashkë me fondin e kontigjencës së dhënë nga qeveria me vlerë 2 miliardë lekë, do të ndihmojë financiarisht korporatën për të blerë energji në vijim.