Lajme Shqip Wednesday, 11 April 2012 15:45

Tiranë – Punësimi i fëmijëve nën moshën 18-vjeç vijon të mbetet një problem në vendin tonë. Sipas të dhënave të raportuara në Këshillin Kombëtar të Punës (KKP), nga kryeinspektorja e Inspektoratit Shtetëror të Punës, Vikrita Çuko, gjatë 2011-ës, përmes 14 028 inspektimeve në ndërmarrje e kompani biznesesh, rezultoi se 280 fëmijë të moshës 16-18 vjeç punojnë në kundërshtim me Kodin e Punës. Nga këta, 60% rezultuan të jenë të moshës 17 vjeç, 25% të moshës 16 vjeç dhe 15% të moshës 18 vjeç.

Po ashtu, në raportimin e bërë nga Çuko, vihej re se gati 91% e këtyre fëmijëve kishin kryer ekzaminime mjekësore dhe rezultonin të siguruar pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore, ndërkohë pjesa tjetër nuk kishin kryer këto ekzaminime dhe nuk rezultonin të regjistruar pranë ISSH.

Kryeinspektorja e ISHP bëri të ditur gjithashtu se sipas kontrolleve të bëra rezultoi se 195 fëmijë punonin në ndërmarrje prodhuese, si përpunim peshku, prodhim këpucësh etj, ndërsa pjesa tjetër në ndërtim (2 fëmijë), tregjet e shumicës dhe pakicës (20 fëmijë),etj.

Problem tjetër i evidentuar nga raporti i këtij inspektoriati janë dhe aksidentet në punë, si dhe sëmundjet profesionale.

Sipas të dhënave të raportuara nga ISHP, gjatë 2011 janë shënuar 126 aksidente dhe 26 kanë qenë me humbje jete. Vdekjet nga aksidentet në punë janë regjistruar në ndërmarrjet e prodhimit, më pas vijnë sektorët e minierës e ndërtimit. Referuar shifrave, miniera e Bulqizës rezulton të jetë e para me numrin më të lartë të punëtorëve të vdekur, si pasojë e aksidenteve në vendin e punës.

Ndërkaq, sipas të dhënave nga raporti vjetor i Inspektoriatit Shtetëror të Punës, në vitin e kaluar rreth 1890 punëtorë janë prekur nga sëmundjet profesionale, si pasojë e prekjes nga substancat e rrezikshme me të cilat ata punojnë.